Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, ka prezantuar një nismë ligjore që synon plotësimin e një boshllëku në nenin 242/2 të Kodi i Procedurës Penale, i cili rregullon masat ndaluese, përfshirë pezullimin nga detyra.
Sipas Manjës, pika 1 e këtij neni përcakton kompetencën e gjykatës për të vendosur masa si pezullimi apo ndalimi i ushtrimit të detyrës, ndërsa pika 2 parashikon se masa e pezullimit nga detyra nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
“Është një nisëm që synon të plotësojë një boshllëk ligjor në nenin 242/2.
Ky nen ka të bëjë me masat ndaluese që ka kodi i procedurës penale. Në pikën 1 të këtij neni sqarohet kompetenca që ka gjykata në masat, pezullimi nga detyra dhe ndalimi i ushtrimit nga detyra. Ne jemi tek pezullimi nga detyra.
Në pikën 2 të këtij neni thuhet se masa e pezullimit nga detyra nuk shtrihet ndaj personave të zgjidhur sipas ligjit elektoral.
Referuar kodi zgjedhor sipas ligjit elektoral sot në Shqipëri zgjidhen anëtarët e këshillit bashkiak, kryetarët e bashkive dhe deputetet.
Ne propozojmë që në pikën 2, pra të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilave nuk mund të jepet si masë pezullimi nga detyra. Ky rreth subjektesh shtohet me presidentin, avokatin e popullit, kryeministrin, zv.kryeministrin dhe ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e KLSH.
Pra nga tre subjekte që neni 242 i kodit të procedurës penale e përjashton masën e pezullimit nga detyra i shtohen edhe 7 subjekte të tjera. I jemi referuar strikt kushtetutës së republikës dhe që përbejnë shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.
Qëllimi i ndërhyrjes është garantimi i funksionimit normal dhe kushtetues të institucioneve të larta të shtetit, duke ruajtur të paprekura kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës për hetimin dhe ndjekjen penale.
Ndryshimi nuk synon të kufizojë juridiksionin penal, dhe as të krijojë paprekshmëri individuale, por të vendosë balancë mes ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe nevojës për të garantuar rendin juridik në përputhje me nenin 7 të kushtetutës që sanksionon parimin e ndarjes dhe balancimin e pushteteve.” – u shpreh Manja.





