Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Prishtinës për një vizitë zyrtare. Vizita, me ftesë të institucioneve të Kosovës, ka ardhur në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan!
Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe mbajti një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” e nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”! Pati dhe aktivitete të tjera, të cilat plotësuar ditën e parë të kësaj vizite zyrtare. Një ditë tepër të ngarkuar këtë të hënë tek vëllezërit tanë!
Ndërkohë që të martën, pritet të jetë pjesë e ceremonisë në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse do të mbajë fjalim në këtë ceremoni, apo nëse do të marrë pjesë në protestën marshim të qytetarëve në Prishtinë, në mbështetje të UÇK, teksa gjyqi në Hagë ndaj Thaçit dhe ish komandantëve të tjerë ka hyrë në fazën finale!
Rama, në deklarimet e tij publike, mbrojti kauzën e UÇK, akuzoi prokurorët e Speciales në Hagë se në mungesë të provave po mbronin një akuzë politike, duke tentuar sipas tij të varrosnin për së gjalli ish komandantët e UÇK teksa kërkuan nga 45 vite burg për secilin, e quajti kauzën çlirimtare të drejtë e të mbështetur dhe nga bota demokratike, duke ironizuar me Hagën se sipas ‘kutit’ të tyre, bashkë me Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin duhej të arrestonin dhe Klinton, Blair, Solanën e Clark, ata të cilët që materializuan çlirimin e Kosovës nga okupimi serb përmes fushatës së bombardimeve të NATO-s. Vizita e Ramës në përvjetorin e Pavarësisë por dhe teksa është në përfundim gjyqi në Hagë ndaj UÇK, që u pasua dhe nga vizita e kreut të shtetit Bajram Begaj, është një mbështetje e fortë nga Shqipëria për Kosovën në këtë situatë!
Dhe teksa shohim kryeministrin Rama që shkon për vizitë zyrtare në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, dhe takon liderët kryesorë politikë në vend, e ku pas kësaj vizite niset për në Uashington për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes’, nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump, ajo që na bën përshtypje është fakti se lideri i opozitës, Sali Berisha dhe në këtë ditë të shënuar për Kosovën qëndron në Tiranë! Në majë foltores, duke vjellë vrer kundër vendit të vet!
Që në momentin e shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe nuk ka pasur ftesë zyrtare për Berishën që të realizojë ndonjë vizitë në Kosovë! Në disa raste është justifikuar me situatën e rëndë në PD, me faktin se ishte i zënë me marrjen nën hyqëm të drejtimit të saj, me dëbimin e Bashës nga drejtimi e më pas me riorganizimin e PD, ndërkohë që tashmë nuk po përpiqet fare të justifikohet për këtë mbyllje që i është bërë nga ana e shtetit të dytë shqiptar! /Pjesë nga shkrimi i Jakin Marenës






