Armand Duka është rikonfirmuar për mandatin e shtatë radhazi si presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, me një mandat të ri katër vjeçar. Duka e mban këtë post që prej vitit 2002 dhe në zgjedhjet e këtij viti ‘garoi’ i vetëm duke mos pasur asnjë rival.
Këtë të hënë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në kryeqytet u mbajtën punimet e Asamblesë të Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, ku 48 delegatë votuan me unanimitet të plotë që Duka të vijojë punën edhe për katër vitet e ardhshme.
Paçka se klubet elitare dhe ato të Kategorisë së Parë me të drejtë vote ankohen çdo javë për gjykimin apo infrastrukturën sportive, të 48-të delegatët me të drejtë vote (klube dhe Shoqata Rajonale futbolli) kanë votuar pro që Duka të mbetet në krye të këtij institucioni. Duka njëherazi mban edhe postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s.
Pas rikonfirmimit në krye të FSHF-së, duke tha se ky votim është një përgjegjësi e madhe dhe uroi një kualifikim të Kombëtares së futbollit për në finalet e Botërorit 2026.
“Dua t’ju falenderoj nga zemra për mbështetjen e sotme, të vazhdueshme, që më keni dhënë mua dhe FSHF-së. Për mua ky nuk është një votim, por përgjegjësi dhe vlerësim i madh që më detyron të jem akoma më i përkushtuar në shërbimin tuaj dhe të futbollit. Ju premtoj që futbolli ynë, infrastruktura dhe stabiliteti financiar të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të jemi pjesë e Kupës së Botës 2026. Suksese Sylvinhos dhe Kombëtares”, tha Duka pasi u zgjodh në krye të FSHF-së për mandatin e shtatë radhazi.
Veç zgjedhjes së Armando Dukës për një mandat të shtatë në krye të FSHF-së, Asambleja Zgjedhore votoi dhe zgjodhi dhjetë përfaqësuesit e rinj të Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate.
Fituesit dhe votat:
Anila Basha me 47 vota pro, Edmond Hasanbelli me 44 vota, Lufti Nuri me 43 vota, Armando Cungu me 43 vota, Erind Resuli me 42 vota, Geri Çipi me 41 vota, Blendi Fevziu me 40 vota, Envi Hicka me 38 vota, Pano Xhixho me 33 vota dhe Gjergji Petro me 27 vota.
Në fillim të Asamblesë, të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi i UEFA-s dhe kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, si dhe i dërguari i FIFA-s, Elkhan Mammadov. Më pas fjalën e mori edhe Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Gonxhja tha se ‘Ligji i Sponsorizimeve’ i shumëkërkuar nga bota e sportit në Shqipëri, do jetë gati në vitin 2027.
“Ligji i Sponsorizimit do sjellë më shumë shikueshmëri dhe do japë për ata që do investojnë në këtë sport një promovim dhe shikim që përmes futbollit është shumë herë më i madh. Kjo do krijojë një valë të re besimi, inkurajimi dhe dëshire, pse jo filantropinë si kulturë në vendin tonë për të dhënë për sportin dhe për të marrë pas nga sporti një promovim dhe shikueshmëri për ‘brand-et’ edhe kompanitë, që sportin nuk e kanë vetëm për pasion.
Nga fundi i këtij viti mbyllim aktet nënligjore dhe proceduriale, duke ‘qepur’ gjithë sistemin e aplikimit dhe vetëdeklarimit të mënyrës sesi do funksionojë Ligji i Sponsorizimit. Viti 2027 do jetë një kthesë e re, një epokë e re për injektimin e sa më shumë financave në sport, ku futbolli zë vendin kryesor”, tha mes të tjerash Gonxhja.
Në Asamblenë e sotme u shqyrtua raporti i veprimtarisë së FSHF-së mes dy asambleve dhe u prezantua bilanci financiar dhe pasqyrat financiare, raporti i auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, miratimi i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2025.






