Kërkesa e Jurgis Çyrbjas për lirim nga burgu pas përfundimit të dënimit, është rrëzuar nga Apeli i GJKKO-së.
Sipas avokatit, Çyrbja duhet të lirohej, por gjykata ka thënë se i kanë mbetur edhe disa orë.
Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit 2024.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti, datë 18.02.2026 regjistrimi, mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt:
“Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të kësaj gjykate, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si vijon: – Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026”, thuhet në vendimin e gjykatës.




