Nga Eduard Zaloshnja
Lutfi Dervishi shquhet për fraza koncize të goditura, që godasin. Në një intervistë të fundit televizive ai tha: “Më gjasa ka të bjerë tërmet se sa të bjerë qeveria”.
Le t’i futemi më thellë kësaj fjalie.
Në 36 vjetët e fundit, në Shqipëri kanë rënë disa tërmete të fuqishme. Më shkatërrimtari ishte ai i nëntorit 2019 – ishte më vdekjeprurësi në gjithë botën atë vit. I fortë, por jo aq vdekjeprurës, ishte tërmeti i shtatorit 2019. Ndërsa të mëparshmit ishin të fortë, por vetëm me dëme materiale.
Në 36 vjetët e fundit në Shqipëri kanë rënë vetëm dy qeveri nga “tërmetet” e protestave popullore – më 22 shkurt 1991 ra qeveria e Adil Çarçanit, dhe fill pas saj, ra qeveria e Fatos Nanos më 4 qershor 1991. Ndërsa në 35 vjetët e fundit qeveritë thjesht janë ndërruar me zgjedhje…
Më 1998, më 14 shtator ishim në prag të rënies së qeverisë si rrjedhojë e një revolte të armatosur të nxitur nga Berisha – militantët e tij zaptuan kryeminitrinë, disa ministri, si edhe RTSH. Por ndërhyrja e fortë amerikano-europiane e detyroi Berishën t’i tërhiqte militantët, dhe qeveria socialiste vazhdoi qeverisjen duke ndryshuar vetëm kryeministrin.
Më 2017, pas zaptimit disamujor të bulevardit nga Çadra e Bashës, Rama u detyrua t’i jepte PD-së gjysmën e posteve ministrore në një qeveri teknike. Sidoqoftë ai vetë mbeti Kryeministër, me ZV.Kryeministre demokraten Ledina Mandia… Ajo qeveri e çoi vendin në zgjedhje, prej të cilave Rama u rizgjodh Kryeministër me 77 vota në Kuvend (nga 140 gjithsej).
Lutfi Dervishi e tha fjalinë e sipërcituar në prag të protestës së sotme të Berishës, që e ka paracaktuar datën 20 shkurt si fundin e qeverisë Rama. Të shohim se sa i saktë do të dalë parashikimi i Dervishit…






