Në takimin e djeshëm në Bordin e Paqes, fjalimi i Ramës iu dedikuar ish krerëve të UÇK që vijojnë të përjetojnë sagën e padrejtësive në Gjykatën e Hagës pas luftës së përgjakshme për liri.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka vlerësuar deklaratat e kryeministrit shqiptar, duke i cilësuar ato si një moment kulmor në mbështetje të çështjeve që lidhen me padrejtësitë në Hagë.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së shtoi se beson që çështja do të trajtohet edhe nga Trump në një moment të caktuar, siç është paralajmëruar, duke e cilësuar këtë zhvillim si “goditjen më të mirë deri tani” në raport me proceset që po zhvillohen në Hagë.
“ Nuk gjeja dot fjalë të reja për ta përshkruar këtë nder, për ne ishte e paparashikueshme. Në Bordin e Paqes u fol për Gazën dhe ishte kulmi i gjithë asaj që Rama ka bërë ndër vite lidhur me padrejtësitë e bëra në Hagë. Jo shumë pushtetarë mund ta bënin një gjë të tillë, sidomos edhe me praninë e Trump.
Rama tha se disa shtete e financojnë Gjykatën e Hagës dhe nuk është e lehtë të thuhet. Ky është kulmi; nëse asnjë hap më tej nuk bëhet, na tregoi se ka qenë dhe është me ne në këtë proces. Besojmë se do të trajtohet nga Trump, në një moment që thuhet nga Rama. Ishte goditja më e mirë deri tani që ka ndodhur.”






