Historia e Suel Çelës me drejtësinë dhe organet ligjzbatuese nis në vitin 2006 në Elbasan. Në atë kohë, vetëm 18-vjeçar, ai u arrestua si i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të Roland Mustës. Ndaj tij u ngritën akuza për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, një sërë provash u shpallën të pavlefshme nga gjykata dhe në përfundim Çela u lirua në sallën e gjyqit. Gjyqtarët që dhanë vendimin e lirimit ishin Pajtime Fetahu, Zihni Shahu dhe Bujar Musta. Vendimi u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimës.
Në shtator të vitit 2017, ai u bë i njohur pas një përplasjeje me Policinë e Elbasanit në hyrje të tregut agro-ushqimor të qytetit. Sipas prokurorisë, një automjet “Audi” i blinduar, që dyshohej se drejtohej prej tij, u përplas me mjetin e policisë ku ndodhej zëvendësdrejtori Gjergj Oshafi dhe më pas u fut në ambientet e brendshme të tregut. Porta u mbyll dhe ai u largua nga vendi i ngjarjes. Prokuroria kërkoi 7 vite burg, por në nëntor 2019 Gjykata e Elbasanit e shpalli të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa një person tjetër u dënua si autor i ngjarjes.
Për vite me radhë, emri i tij mbeti kryesisht brenda kufijve të Elbasanit, ku konsiderohej person me ndikim, gjë që është artikuluar edhe nga palët politike. Janë të bujshme akuzat e bëra mes eksponentëve të Partisë Demokratike për lidhje me të, veçanërisht Flamur Noka.
Emri i tij u rikthye fuqishëm në vëmendje në vitin 2022, kur u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ai akuzohet si porositës i disa atentateve, mes tyre atentati i dështuar i 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, si dhe vrasja e administratorit të një shkolle private, Lulzim Masha.
Në nëntor 2024, SPAK vendosi një tjetër masë sigurie “arrest me burg” për Suel Çelën dhe 20 persona të tjerë, si pjesë e një organizate kriminale. Akuzat erdhën pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC, ku sipas dosjes hetimore ai konsiderohet si drejtues i një organizate të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe veprimtari të tjera kriminale, përfshirë tentativa vrasjeje.
Hetimet zbuluan edhe përplasjen mes Suel Çelës dhe grupit të njohur si “Çapjat” në Elbasan, konflikt që konsiderohet ndër më të fortët mes grupeve kriminale në qytet në vitet e fundit. Sipas dosjeve hetimore, rivaliteti lidhet me kontrollin e aktiviteteve kriminale dhe ndikimin territorial. Emri i Çelës është përmendur si palë rivale e grupit të drejtuar nga Ardian Çapja, i cili ka qenë objekt i disa atentateve. Një nga ngjarjet më të rënda ishte atentati ndaj Ardian Çapjës në vitin 2020, ku ai mbeti i plagosur rëndë.
Aktualisht, Suel Çela vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Pavarësisht masave të sigurisë të dhëna nga gjykata dhe akuzave të rënda që e konsiderojnë si kreun e një organizate kriminale të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe krime të tjera të rënda, ai nuk është arrestuar, duke i shpëtuar deri më tani prangosjes.
Shqiptarja.com





