Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar për gjendjen e jashtëzakonshme të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas, ku përveç shkëputjes së juglindjes me pjesën tjetër të vendit, evidenton dhe dëmet e mëdha që kjo situatë sjell për ekonominë vendase.
Reagimi i Konfindustrisë:
Konfindustria vlerëson, se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare me Korçën, që përkon me gjurmën e Korridorit 8 si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, duke lënë pothuaj të shkëputur Juglindjen e vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare. Konfindustria kërkon, që duke vlerësuar sa më sipër, Qeveria dhe SPAK duhet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.
Ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendor, në rast të moszgjidhjes së shpejtë të gjendjes, rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim. Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi. Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim.
Sa më sipër zhvleftëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik, si një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë, në favor të konkurrentëve tregtarë rajonalë me në krye Greqinë, përfshirë edhe detyrimet ndaj NATO-s.






