Ambasada franceze ka reaguar ndaj sulmit me molotovë nga protestuesit e PD në ‘Vilën 31’ kur brenda ndodheshin artistët. Në deklaratë, ambasada thotë se organizatorët e protestës s’mund të injoronin faktin që prej vitit 2025, godina shërben si rezidencë për artistë ndërkombëtarë.
Ambasada shprehet se rrezikimi i jetës së rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara “janë të patolerueshme”, ndërsa shton se e drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune.
“Ne dënojmë me forcë aktet e dhunës që mbrëmë arritën një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj Vila 31 – Fondacioni Art Explora. Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez. Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme. E drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune. U bëjmë thirrje organizatorëve të tregojnë përgjegjësi”, shkruan ambasada.
Por edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën e militantëve të Sali Berishës gjatë protestës së mbrëmjes së djeshme që PD zhvilloi në Tiranë, të cilët hodhën molotovë në vilën e Enver Hoxhës, sot qendër kulturore, ku rrezikuan jetën e disa artistëve që ndodheshin brenda.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se mbështet të drejtën për të protestuar, por kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe të mos cënojë sigurinë e të tjerëve.
Po ashtu më reagim Delegacioni i BE-së nënvijëzon se gjatë protestës së djeshme të PD-së u rrezikuan jetë njerëzish, duke pasur parasysh artistët që ndodheshin brenda ‘Vilës 31’ gjatë momentit të sulmit nga militantët e Berishës.




