Pas debatit të fortë në parlament pse Taulanti tha se unë dhe Albana kemi një numër me 0900 që informohemi nga BE, Muli nisi kërkimet.
Por meqë nuk di anglisht, thirri Lelon për përkthyes.
– Duhet të gjejmë çfarë numrash me 0900 ka në Bruksel, – i tha.
– Patjetër, – tha Lelo. Bëri një kërkim me fjalë kyç Bruksel, 0900 dhe i dolën një sërë numrash.
– Tani duhet t’i provojmë konkretisht, – i tha Mulit. – Duhet t’i biem secilit numër e ta provojmë a është i BE. Vetëm se këta numra kushtojnë nëse nuk janë të BE, se vetëm ajo e ka falas.
I ranë numrit të parë. Nga ana tjetër e telefonit doli një zë femre që fliste gjithë përkëdheli.
– Alo, flasim nga Shqipëria, – i tha Lelo.
– Oh, we love Albania very much. We are very pleased with the Albanians.
– Çfarë thotë? – tha Muli.
– Thotë që ne e duam Shqipërinë dhe jemi shumë të kënaqur me shqiptarët.
– Qenka celulë e Sorosit, – tha Muli. – Paskan imazh të mirë për Shqipërinë e mafias dhe drogës. Mbylle, bjeri numrit tjetër.
Lelo provoi numër tjetër.
– Mirëdita, ju flasim nga Shqipëria…
– “Truly. I had been waiting for this for a long time. We are ready to make Albania part of us.”
– Çfarë thotë? – tha Muli.
– Thotë që mezi ju presim të bëheni pjesa jonë, pak a shumë.
– Qenkan dhe këta të Edi Ramës, – tha Muli. – Provo ndonjë numër tjetër.
– E provoj, – tha Lelo, – por sa po më hanë lekët kot. Se nga shpejtësia me të cilën më marrin lekët nuk duket se flasim me zyrat e Evropës, po me kurva. Dhe ato janë të kënaqura me shqiptarët.
– Evropa është një kurvë plakë, ka thënë Gjergj Fishta. Na e kanë pas me hile gjithë jetën, – tha Muli. – Por provo tjetër.
– Gjithë numrat me 0900 janë shumë të kënaqur me shqiptarët, – tha Lelo. – Është e kot ta provojmë. Më lehtë e kemi të pyesim Albanën me kë numër ka folur që mos të harxhojmë kot.
– Nuk është mirë ta pyesim se i cenojmë privatësinë, – tha Muli. – E dëgjove Gazin ti që u tha socialistëve “jeni mësuar me kurvat e partisë suaj ju?”
– Po e dëgjova, – tha Lelo.
– Epo tani ne nuk mund të sillemi njësoj si socialistët me këto tonat.






