Edhe pse procesi i Vettingut ka përfunduar totalisht shkallën e parë të vlerësimit, dhe është drejt përmbylljes edhe të ankimimeve në Komisionin e Posacëm të Apelimit, të dy faza të rëndësishme këto monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë, kreu i Partisë Demokratike deklaron se procesi duhet të rishikohet, duke hapur mundësinë e rikthimit në sistem për qindra gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar ndër vite.
“Garantoj se çdo gjykatës dhe prokuror që është larguar dhe që faktohet në mënyrë ligjore se është larguar pa meritë, është larguar për qëllime politike, do të marrë vendin e tij të nderuar një përputhje me një proces ligjor”,- tha Berisha.
Duke iu rikthyer aktualitetit në një bashkëbisedim me qytetarët në rretet sociale kryedemokrati sqaroi se bojkoti i parlamentit nuk është opsion për opozitën, dhe se ditën që do të votohet për arrestimin ose jo të Belinda Ballukut, tha se do të protestohet me një qëllim të qartë.
“Edi Rama është i aftë të bëjë në parlament çdo provokim dhe të marrë çdo vendim. Qytetarët nuk mashtrohen me Lubi Ballukun. Protesta e 12 marsit është protestë për dorëheqjen, largimin e Edi Ramës nga pushteti”,- tha Berisha.
Të enjten e 12 marsit në parlament pritet të hidhet në votim kërkesa e prokurorisë së Posaçme për lejimin e arrestimit të ish-numrit 2 të qeverisë për procedura tenderimi që kapin vlerën e miliona eurove ku Prokuroria e Posaçme ka marrë rolin e Komisionit të tenderave , Kontrollit të Lartë të shtetit dhe të avokatit të tendërhumbësave. Demokratët shkojnë me raportin e përgatitur pro arrestimit të Belinda Ballukut. Socialistët, janë ende pa një raport gati, po o kanë dhënë sinjalet se shkarkimi si ministre e Infrastrukturës dhe njëkohësisht zv/kryeministre, e bën të panevojshëm arrestimin e saj.



