Me rastin e 8 Marsit Muli mendoi të organizonte një takim me gratë e PD dhe Doktorin. Tema do të ishte rreth dhunimit të grave të opozitës nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Rasti i Albanës do të dominonte gjithë takimin.
Duke u përgatitur për takimin, Muli u këshillua me Lelon për T-shirtat që duhet të shpërndanin.
– Unë them të shkruajmë një slogan, – i tha Muli. – Mendoj se “Je suis Albana” është më i godituri. Të gjitha gratë demokrate duhet të ndjehen si Albana.
– Është pak më e fortë se ç’duhet, – tha Lelo, – se kjo ndodh kur personi në fjalë është vrarë. Kurse personi në fjalë është gjallë, por kanë dashur t’i vrasin nderin, duke i sajuar histori me 0900.
– Unë them se duhet bërë, – tha Muli. – Ajo meriton një mbështetje të fortë.
– Dakord, – tha Lelo dhe përgatiti bluzat me sloganin “Je suis Albana”.
Por aty ndodhi një incident. Tek studio ku porositi bluzat, ai dizajneri pasi e kishte marrë porosinë në telefon, i ishte dukur slogani gabim dhe e kishte shkruar “Je suis Albania”.
– Po slogani që më kërkove, – i tha Lelos.
– Unë të thashë “Je suis Albana”, jo Albania, – i tha Lelo.
– E di, – i tha, – por mendova se e kam dëgjuar gabim, pasi ky slogan shkruhet kur dikush është i rrezikuar. Dhe mendova që ju jeni parti opozitare dhe meqë Shqipëria rrezikohet nga Irani po dilni të protestoni për Shqipërinë.
– Jo, jo. Të thashë Albana, jo Albania, – i tha Lelo.
– E kuptova, – i tha dizajneri. – Mendova se po mbroni Shqipërinë nga Irani, jo Albanën nga Taulanti.
– Taulanti është më i rrezikshëm se Irani, – i tha Lelo. – Fakti që i shkon mendja tek Albana tregon potencial kriminal.






