Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri. net”
Pyetje: Z. Meta, si e vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit Rama, lidhur me refuzimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku?
Si qëndrimin më të sinqertë që ka mbajtur ndonjëherë lidhur me Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai u tregua shumë i vërtetë kur shpalosi publikisht devizën e tij se lufta kundër korrupsionit po bëhet më e dëmshme se vetë korrupsioni.
Ky qëndrim nuk ka të bëjë me Znj. Balluku, por me kapjen e tij në flagrancë si paracaktuesi i çdo “tenderi” në Shqipëri.
Ai ka të drejtë të jetë i pakënaqur me SPAK-un e tij, se kur ata mbyllën sytë për firmën zyrtare që ai hodhi duke i dhënë 8% avantazh kompanisë që nuk ekzistonte fare për inceneratorin, përse e bëjnë kaq të madhe kur ky urdhëron marrjen e tenderave në telefon për kompani që ekzistojnë dhe që kanë edhe të punësuar.
Për shembull, pronari i “Prestige Resort”, nuk kishte fare të punësuar kur i hodhën në erë në mënyrë të paligjshme një resort të tërë dhe madje në kulmin e sezonit turistik, kur dhjetra turistë të huaj u lebetitën për gjithë jetën.
As pronarët e shumë bujtinave në Theth nuk kishin asnjë të punësuar, atë moment në të gdhirë, kur investimet e tyre u rrëzuan përdhe, pa vendim gjykate dhe turistët e huaj dolën në rrugë.
Vetëm Biznesmenët dhe bizneset që urdhëron ky të fitojnë tendera kanë të punësuar dhe të drejta.
Pyetje: Çfarë shënon ky hap i Kryeministrit Rama dhe PS për Reformën në Drejtësi?
Shënon fundin e “telenovelës” populiste “Drejtësi me Regji” dhe pengim të hapur edhe të drejtësisë që e kapi vetë në çdo qelizë, natyrisht me përkrahjen e paepur të sorosistëve diplomatë dhe politikanëve në të dy anët e oqeanit Atlantik.
Padyshim edhe me marrëzitë e drejtuesve të opozitës që nga djegia e mandateve dhe pasojat e gjithanshme të këtij vendimi katastrofik edhe për t’i lehtësuar Ramës kapjen e gjithë institucioneve të reja të drejtësisë.
Raporti i fundit i Transparency International, tregon bindshëm përkeqësimin e korrupsionit me 11 vende në renditjen botërore të Shqipërisë gjatë vitit të fundit, aq sa edhe Z. McAllister e theksoi publikisht në Tiranë.
Shqipëria është vendi që shpenzon më shumë nga buxheti i shtetit për investimet publike në infrastrukturë dhe në këtë aspekt është më keq sa i takon kriterit të konvergjencës me BE se para 10 viteve apo në raport me vendet e rajonit.
Po kështu, Shqipëria përfiton më pak fonde nga BE për rrugët, sepse rrugët as nga cilësia fizike dhe as nga kostot e tyre nuk duhet të bëhen sipas standardeve europiane, por sipas standardeve “rilindase”.
Nëse SPAK apo Prokuroria e Korçës do të kishte shkuar menjëherë në vend kur u shemb rruga Korçë-Ersekë para dy vitesh, jam i sigurt se jo vetëm do gjente prova flagrante të krimit dhe korrupsionit, por edhe sot ndoshta një pjesë e rrugëve të reja nuk do ishin shembur.
Çdo vepër publike e shembur apo jofunksionale, si hidrovori i ri i Durrësit, është një skenë krimi dhe korrupsioni.
Përfundimisht, me bllokimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku, Rama instalon hapur paprekshmërinë e tij dhe u jep siguri të gjithëve që vjedhin për llogari të tij, që ta shtojnë dozën (ma Nalt).
Njëkohësisht, jo vetëm zhbën Reformën në Drejtësi, të miratuar 10 vjet më parë, por e kthen çështjen e imunitetit të zyrtarëve para vitit 2012.
Dy ditë më parë dëgjova Z. Arben Malaj që kujtonte se pas zgjedhjeve të 2009, deputetët e PS në atë kohë, kishin deklaruar heqjen dorë nga imuniteti vullnetarisht.
Regresraporti me Drejtësinë po bëhet gjithmonë e më interesant.
Ndaj dhe Rama ka hequr dorë edhe publikisht nga kriteret e Kopenhagenit, që u konfirmua në editorialin e Z. Vuçiç që e firmosi edhe ky në Frankfurter Allgemeine Zeitung më 28 shkurt 2026, ku Edi Rama vetëm për interesa personale minon aspiratën mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian, por jo vetëm kaq por minion edhe të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Europian. Dhe si shpërblim për këtë bashkëfirmosje Vuçiçi pak ditë më pas deklaroi se qëllimi i tij nuk është Serbia në BE por rikthimi i Kosovës nën Serbi.
Pyetje: Duket sikur gjermanët janë bërë më aktivë ndaj Shqipërisë, ndërkohë që Rama është bërë më refraktar ndaj tyre. Edhe dje, i dërguari i Bundestagut për Ballkanin, Z. Buyer shprehu shqetësime për drejtësinë dhe sfidat e tjera të integrimit. A besoni te roli i Gjermanisë?
Gjermania pa dyshim që është lokomotiva kryesore e Bashkimit Europian, i cili ka edhe shumë sfida të reja, si lufta me Ukrainën apo çështja e Iranit.
Fakti që Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ka kryer një vizitë në Shqipëri para pak muajsh, tregon për rëndësinë që i kushton Shqipërisë në këto kohë kritike.
Fakti që CDU pas gati 5-6 dekadash ka rimarrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, është shumë i rëndësishëm.
Këtë fakt, në të vërtetë ma solli në vëmendje një gazetar i njohur gjerman, në Maj 2024 në Berlin, kur unë po i ankohesha se si një ambasadore gjermane, në vitet 2018-2019, deklaronte publikisht që më mirë që Shqipëria ishte pa Gjykatë Kushtetuese sesa të jetë me Gjykatë Kushtetuese të korruptuar.
Normale tha gazetari i njohur, se Ministria jonë e Jashtme që nga koha e Vili Brandit, nuk ka lidhje me CDU.
Po kështu, është pozitiv fakti që Ministri i Jashtëm aktual, Z. Wadephul, është jo vetëm njohës shumë i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë, por është edhe jurist.
Madje mund t’ju siguroj se e njeh mirë edhe Kushtetutën e Shqipërisë, pasi kemi folur gjatë në zyrën e tij tre-katër ditë para se unë të anulloja dekretin për zgjedhjet vendore në 2019, pikërisht atë mbrëmje kur opozita kishte premtuar se do bënte hatanë te Kuvendi.
Përveç shmangies së incidenteve, shqetësimi i tij, por edhe CDU dhe Kancelares Merkel, ishte bërja e zgjedhjeve lokale me gjithë opozitën si kusht i domosdoshëm për çeljen e negociatave në Tetor 2019 për Shqipërinë dhe Maqedoninë, e cila kishte arritur Marrëveshjen e Prespës.
Madje mbaj mend se ai u mërzit me mua pasi nuk i premtova se do i anulloja zgjedhjet para mitingut të së shtunës të opozitës.
Mirëpo, të premten në darkë, në Presidencë, mbërriti një zarf nga SHISH, që paralajmëronte ngjarje të rrezikshme dhe me pasoja të paparashikuara gjatë mitingut të opozitës të nesërmen.
Kështu që u detyrova që të shtunën në mbrëmje të nxirrja deklaratën për shtyrjen e zgjedhjeve.
Ditën tjetër, edhe pse e dielë, CDU bëri deklaratë zyrtare ku përshëndeste këtë akt të Presidentit si mundësi të mirë për të dy palët që të bëheshin zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse, si hap i rëndësishëm edhe për çeljen e negociatave në Tetor.
Por Luigi Soreca, i dinte më mirë kriteret e Kopenhagenit dhe vendosi të mbështeste zgjedhjet njëpartiake, rezultati i të cilave doli vetëm pas 27 ditësh se nuk përputheshin “votuesit” me fletët e votimit.
Natyrisht, nuk e besoj se Luigi e bëri këtë edhe pa dijeninë e Znj. Mogherini në Bruksel.
Dhe meqenëse përmendëm dy italianë, është e rëndësishme të ridimensionohet roli i Italisë në Shqipëri dhe për integrimin Europian të Shqipërisë.
Ndoshta kam patur një përshtypje jo të saktë se këtë rol e kishte marrë vullnetarisht Z. Agaçi, i cili ishte edhe koordinatori i parë për Reformën në Drejtësi edhe me Komisionin Europian, por edhe Gjeneral Lisin.
Pra, që të kthehemi te Gjermania, duke vlerësuar bujarinë e saj financiare për Shqipërinë, por edhe vëmendjen e shtuar, nuk duhet as të presim çdo gjë nga Berlini dhe as të lejojmë të na rikthehet sindroma anti-Shtraus pas 40 vitesh.
Shumë shqiptarë ende nuk e dinë se Shtrausi kaloi rastësisht nëpër Shqipëri, rrugës nga ish-Jugosllavia për në Greqi për pushimet verore.
Ai u prek shumë nga bujaria, bukuria dhe varfëria e Shqipërisë në atë kohë, ndaj edhe bëri një plan si ta ndihmonte këtë vend fatkeq.
Për më tepër që Ministria Federale e bashkëpunimit ekonomik ishte e partisë së tij (CSU).
Ndaj edhe u rikthye dy herë me oferta shumë bujare, por “byroistët” nuk mund të ndryshonin një nen të Kushtetutës që ndalonte ndihmën e huaj se nuk mund të shkelnin parimet pasi barin e hante populli se ata për vete hanin mish special dhe pinin verë speciale, por jo Romanee Conti si sot.
Ndaj edhe mijëria shqiptarë shpërthyen në ambasadën gjermane, italiane etj, në 2 Korrik 1990.
Duket sikur historia përsëritet në mënyrë tragjike edhe sot kur kërkohën vetëm përfitimet ekonomike nga BE, por edhe heshtja për zerimin e Kritereve të Kopenhagenit në Shqipëri.
Ndaj është koha që shqiptarët e sotëm të ngrihen në nivelin e shqiptarëve të 2 Korrikut 1990, për të vrarë frikën dhe shembur këtë regjim pengmarrës edhe të integrimit europian, përveç lirive dhe të drejtave të tyre.
Pyetje: Në situatën aktuale a mendoni se faktori i jashtëm do të jetë vendimtar për ndryshimin e situatës së brendshme?
Absolutisht që jo. Të gjithë ne politikanët shqiptarë kemi përgjegjësi për këtë rrëshkitje në humnerën e dëshpërimit, duke e kërkuar shpëtimin nga jashtë.
Një gjë që ta dhurojnë të tjerët kanë të drejtë edhe të ta marrin, përfshirë lirinë, demokracinë dhe drejtësinë.
Ashtu siç një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë.
Nuk duhet të harrojmë se fatkeqësisht Perandoria Austro-Hungareze nuk ekziston më.
Dihet roli i saj historic për mbështetjen e aspiratave shtetformuese të shqiptarëve.
Po kështu, edhe ultimatumet që i lëshonte Serbisë, Rusisë apo Greqisë për të liruar territoret e Shqipërisë. Siç dihet, ultimatumi ndaj Malit të Zi për t’u larguar nga Shkodra e pushtuar.
Natyrisht që këtë politikë ata e bënin për interesin e tyre, por nga kjo përfituam shumë edhe ne (aq sa ditëm).
Dallgët e historisë na hodhën më vonë në brigje të ndryshme e të panatyrshme për kombin tonë.
Pas rikthimit në rrugën e Zotit dhe Gjergj Kastriotit, nuk duhet të pranojmë asnjë lloj deviacioni gjeopolitik.
Jemi shquar për vonesa historike që i kemi paguar shtrenjtë me humbje territoresh, pasurish dhe popullsie.
Kemi ne më shumë nevojë për Europën se sa ajo për ne.
Po kështu, ne nuk bëjmë dot pa NATO-n se NATO-ja bëri 50 vjet pa ne.
Nuk jemi kërthiza e botës, por jemi në mes të Mesdheut dhe nuk duhet të lejojmë të na shkulin prej këtej përmes shpopullimit dhe sorosifikimit.
Koha për veprim! Koha për protestë!
Pyetje: Kur përfundon seanca juaj paraprake?
Unë di vetëm një gjë, që në çdo seancë do jem atje dhe pres me padurim gjykimin në themel, për t’u provuar të gjithëve farsën e shekullit të Ramaformës.
Aktualisht prioriteti im i parë është libri që duhet të botoj në 22 Korrik me rastin e 10-vjetorit të Reformës ose Ramaformës.
Ata më rrëmbyen kafshërisht, si kanibalë që të mblidhnin prova për mua këtu në qeli.
Pa dashje më rikthyen te librat, leximi, kujtimet dhe reflektimet.
Ndaj edhe unë i mblodha kujtimet, letrat, faktet për t’i kthyer në një libër që t’u shërbejë jo vetëm gjeneratave të ardhshme, por edhe popujve të tjerë që të mos katandisen emigrant edhe në atdheun e tyre.
Në fjalën time, në Mitingun historik të 2 Marsit 2020, në mbrojtje të Kushtetutës kam thënë se qytetarët shqiptarë kanë mësuar vetëm 10% të të vërtetave të hidhura nga komploti sorosist për kapjen e Drejtësisë.
Në librin e 22 Korrikut do mësojnë shumë më tepër se çfarë ndodhi pas shpinës së tyre që tani shumica po e vuajnë çdo ditë në kurriz.
Mashtrimet kanë emra.
Jam vërtet krenar që kam bërë gjithçka për të parandaluar këtë komplot të mirëfilltë që i ka zhveshur shqiptarët nga të gjitha të drejtat e tyre, përveçse të drejtës për t’u larguar.
Jam krenar që i kam paralajmëruar SHBA zyrtarisht që në 2016 edhe si Kryetar Kuvendi apo President më vonë, për pasojat e rrezikshme që do sillte kapja e Reformës nga Edi Rama.
Po kështu edhe BE.
Këta dallkaukë le të vazhdojnë të ndalojnë gazetarët, deputetët, eurodeputetët etj.
Në 22 Korrik libri do arrijë te gazetarët, deputetët, eurodeputetët, kongresmenët dhe padyshim edhe te McGonigalët.



