Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Eruopian ka reaguar pas takimit të zhvilluar ditën e sotme me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Kos ka shkruar se Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të anëtarësimit në BE.
Kos po ashtu ka zbuluar pjesë nga diskutimet me ministrin Hoxha, teksa tha se fokusi u mbajt te nevoja për zbatimin e sundimit të ligjit, te lufta kundër korrupsionit dhe te zhvillimi i demokracisë.
“Shqipëria është aktualisht një nga vendet në krye të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo vjen me pritshmëri të larta. Tani po përparojmë me diskutimet mbi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Me Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha unë theksova nevojën për zbatim të besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ky është një hap i rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit, anti-korrupsionin dhe demokracinë”, ka shkruar Kos në rrjetin social ‘X’.






