Luçiano Boçi, i cili dha një vlerësim në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e cila u rrëzua me 82 vota kundër, gjatë seancës së Kuvendit, ditën e sotme.
Boçi tha se Parlamenti ka dalë nga funksioni dhe statusi i tij është në duart e Ramës për të goditur dretësinë, gjë e cila sipas tij, nuk ka ndodhur më parë, pasi imuniteti më shumë ruan integritetin e fjalës dhe të mendimit të deputetit dhe jo paprekshmërinë e tij në raport me një hetim apo kërkesë të drejtësisë.
“Sot kemi një keqpërdorim të Parlamentit, kemi një krizë pushtetesh në Shqipëri, krizë politike, krizë të shoqërisë, bashkëngjitur me krizën ekonomike që eksziston prej vitesh në Shqipëri”, u shpreh nënkryetari i PD-së.
Ndër të tjera Boçi bëri të ditur se ndërkombëtarët kishin komunikuar ditën e sotme me drejtuesit e PD-së në lidhje me mbajtjen nën kontroll të ecurisë së protestës së PD-së, që u zhvillua sot, përpara Parlamentit. Sipas tij, ky komunikim erdhi me qëllimin që kryefjala të qëndronte tek votimi për kërkesën e SPAK në lidhje me fatin e ish-zv.kryeministres Ballluku.
“Vazhdimisht faktori ndërkombëtar kërkon një lloj qetësie të protestave të PD-së, me qëllimin e mirë që të qëndrojë dhe të dalë në vëmendje të opinionit publik, afera apo çështja kryesore korruptive. Çështja e qëndrimit të Parlamentit në raport me imunitetin dhe çdo ngjarje tjetër do të zhvendoste komplet vëmendjen nga ajo çka ndodhi brenda Parlamentit, nga ai veprim i turpshëm i 82 deputetëve, të cilët kanë shkelur me këmbë besimin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Boçi.
Ai bëri gjithashtu të ditur se ky vendim ka sjellë reagime shumë të forta ndërkombëtare dhe reflektime të ndryshme të mediave ndërkombëtare në qasjen e tyre kritike për imunitetin e Ballukut.



