Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e Dhionisios Alfred Belerit, duke vulosur kështu dështimin e radhës juridik të ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës kundër dënimit të tij penal.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Belerit për shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit (korrik 2024) dhe Gjykatës së Lartë (korrik 2025). Me këtë hap, rruga ligjore e Belerit brenda institucioneve shqiptare për të sfiduar dënimin e tij quhet e mbyllur.
Fredi Beleri, sot euro-deputet i zgjedhur si përfaqësues i Greqisë, u arrestua në maj të vitit 2023, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve vendore, nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ai u dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), pasi u provua se kishte ofruar para në shkëmbim të votave për bashkinë e Himarës.
Edhe pse fitoi zgjedhjet nga qelia, Beleri nuk u lejua kurrë të betohej si kryebashkiak. Më pas, ai humbi mandatin e fituar dhe aktualisht ushtron mandatin e deputetit në Parlamentin Evropian, pasi u zgjodh nën siglën e partisë “Demokracia e Re” të Greqisë.
Me këtë vendim të fundit, Gjykata Kushtetuese la në fuqi verdiktin e drejtësisë shqiptare, duke mos gjetur shkelje të procedurave kushtetuese gjatë procesit të tij gjyqësor.






