Në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama, pret gjatë vitin 2026 nisjen e mbylljes së kapitujve të parë të hapur me BE-në, në Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme njohur si IBAR, Komisioni Europian e ka vlerësuar vendin tonë me një notë pozitive, por janë 27 vendet anëtare të BE ato që deri tani nuk a kanë dhënë certifikimin final.
Ky fakt u konfirmua nga një zëdhënëse e Komisionit Europian e pyetur se çfarë përmban rekomandimi IBAR për Shqipërinë.
“Komisioni Evropian ka paraqitur vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme, si dhe një draft Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1 pranë Këshillit. Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord për një Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1, i cili do të përcaktojë piketat përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës”, tha zëdhënësja e KE-së.
Në Bruksel po për vlerësimin IBAR janë zhvilluar dy mbledhje të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet Negociuese me BE njohur si (COELA).
Takimet janë mbajtur më 6 dhe 13 mars nga ku raporti IBAR për Shqipërinë është diskutuar mes ambasadorëve të vendeve anëtare të BE pranë KE.
Këshilli Europian tregohet i kujdesshëm në qasjen se diskutimeve në këto dy mbledhje duke mos dhënë një përfundim, megjithatë për momentin bëri këtë koment.
“Nuk mund të ndajmë ndonjë informacion të detajuar mbi këtë takim (është gjithmonë “jozyrtar”). Ky ishte një tjetër sesion i COELA-s në të cilin u diskutua IBAR si bazë për draftin (e ardhshëm) të qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së; me shtetet anëtare që bënin pyetje dhe Komisionin Evropian që përgjigjej. Sipas praktikës sonë standarde, ne kurrë nuk zbulojmë detaje të diskutimeve të tilla pasi ato përbëjnë pjesë të punës së njërit prej organeve përgatitore të Këshillit në kontekstin e proceseve të tij të brendshme të vendimmarrjes”.
Zëdhënësi i Këshillit Europian konfirmoi më tej se diskutime të ngjashme do të vazhdojnë në javët dhe muajt e ardhshëm mes ambasadorëve.
Ata do t’i rikthehet kësaj pike diskutimi për Shqipërinë të premten e 20 marsit, por do të pasojnë edhe shumë diskutime të tjera
Sipas portalit European Westernbalkans.com Mali i Zi mbylli Kapitullin 21 që lidhet me “Rrjetet e transportit Europian” dhe do ti duhet të mbyllë edhe 32 kapituj të tjerë.






