Lëvizja brenda PD-së e Ervin Salianjit nisi me një kafe që bëri bujë.
Në të morën pjesë emra si Ilir Alimehmeti, Xhemal Gjunkshi, Aulon Kalaja, Tedi Kopliku dhe të tjerë kandidatë që kishin marrë shumë vota në zgjedhjet e fundit, pavarësisht se PD dhe Berisha i kishte lënë jashtë listës së sigurt.
Momenti i parë pas kafesë së famshme dha mesazhin se diçka po bëhej gati të niste brenda radhëve të opozitës, por shumë shpejt u pa se Salianji u braktis prej të gjithëve.
Ilir Alimehmeti, i pranishëm në takimin e parë, nuk u pa më në asnjë aktivitet të mëtejshëm të kësaj lëvizjeje. Madje, në zhvillimet e fundit, ai është shfaqur si një nga zërat që artikulon nevojën e rikandidimit të Sali Berishës në krye të PD-së, duke bërë një kthesë të qartë nga fryma që dukej se përfaqësonte në atë takim të parë.
Xhemal Gjunkshi, pas pjesëmarrjes në atë tryezë, u emërua anëtar i Kryesisë së PD-së.
Aulon Kalaja, nga ana tjetër, mori hapësirë në një nga mitingjet e PD-së, duke kaluar nga një pozicion potencialisht kritik në një rol të përfshirë në narrativën zyrtare të partisë. Ndërsa Tedi Kopliku u distancua që në fillim, duke deklaruar se kishte qenë “rastësisht në vendin e gabuar”.
Pra, ndodhi ajo që pritej, duke e tkurur lëvizjes dhe duke ia prerë asaj krahët, sepse sado strategji dhe dëshirë të kesh, pa një ekip të qëndrueshëm, çdo nismë ngelet individuale dhe pa të ardhme.
Ajo që vihet re është se emrat iu bashkuan Salianjit për t’i dhënë një mesazh Berishës dhe për të rritur ‘pazarin’ e tyre me të.
Është e qartë se në atë PD që ka ngel, Berisha mbetet ende qendra gravitacionale e PD-së, mirëpo ai nuk ka asnjë të ardhme, qoftë për shkak të moshës, qoftë për shkak të izolimit ndërkombëtar, por qoftë edhe për shkak të konsumit, kështu që të vijosh të shpresosh prej tij, kjo është çudi e madhe.
Në këtë kuptim, historia e protagonistëve të kafesë së famshme që u nisën për të ndrshuar PD-në dhe në fund thjesht tradhtuan Salianjin dhe u futën në ‘pazar’ me Berishën është thjesht vazhdim i një filmi të parë disa herë, sepse, siç edhe koha ka treguar, sistemi politik në këtë vend bën që lëvizjet të lindin shpejt, por rrallë të mbijetojnë. Kjo edhe për shkak të sinqeritetit të protagonistëve të tyre./TemA



