Nga: Mero Baze
Para disa muajsh, një prokurore e Elbasanit prodhoi një lajm në opinionin publik, pasi denoncoi se i kishin tërhequr në mënyrë të paligjshme tre dosje që ajo kishte nën hetim. Ngjarja dukej e pabesueshme për të qenë e vërtetë si “rrëmbim”, por ishte e vërtetë se asaj i ishte ndërprerë forcërisht hetimi. Kryeprokurori i Elbasanit i kishte tërhequr ato dosje, për t’ia hequr nga duart një prokuroreje që po i bënte gati për gjykatë.
Ndaj kësaj ngjarje në atë kohë pati një reagim politik të Sali Berishës, i cili tha se është “vjedhur” dosja e Saimir Tahirit me biznesmenin Sota, një nga ato krijimtaritë plot fantazi të “qytetarit digital”, që në të vërtetë kërkonte të fshihte një krim.
Me ndryshimin e kryeprokurorit të Përgjithshëm dhe shkarkimin e prokurorit të Elbasanit, që deshi të “vetëflijohej” në zyrë për ato dosje, dosjet u rikthyen tek prokurorja dhe rezultati i parë i tyre është arrestimi i dy ish- drejtorëve të Përgjithsëm të Drejtorisë së Rrugëve të Shqipërisë, për një histori të pabesueshme korrupsioni, rreth 5 milionë euro, me një rrugë që lidh Elbasanin me fshatin malor të Gjinarit. Për këtë kanë shkuar në burg përveç dy drejtorëve të Përgjithshëm, dhe 9 zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë.
Pas arrestimit kemi një qëndrim politik të LSI, e cila kërcënon se gjyqi është politik dhe se ata që e kanë bërë, do ta paguajnë.
Tani, nëse je qytetar normal në këtë vend dhe pret të funksionojë drejtësia, shikon se janë së paku dy qëndrime politike ndaj një afere korruptive, që të bëjnë të besosh se drejtorët e Përgjithshëm janë vërtet viktima, por më shumë se sa të drejtësisë, të shefave të tyre politik, të cilët janë më të shqetësuar se ata.
I pari, Sali Berisha. Reagimi i tij për “dosjen e zhdukur të Andi Tomës”, të cilën e ka ditur shumë mirë çfarë është, duke e justifikuar si dosje të Saimir Tahirit, është një pistë e pastër e përpjekjes së tij, për të fshehur gjurmët e atyre që donin të zhduknin dosjen.
Duhet të kujtoj se Andi Toma është burri i partneres në në biznesin e studios së Argita Berishës, dhe është në atë detyrë për shkak të gruas që ishte shoqja e vajzës së Sali Berishës. Ai i iku një dënimi për korrupsion në “Rrugën e Kombit”, pasi dosja u mbyll me procedure për shkak se peshku i madh ishte Lulzim Basha.
Më pas, e ka shtyrë sa ka mundur me Adriatik Llallën dhe mjaftoi ikja e tij prej zyrës, që çështaj të shkonte në Gjykatë.
Bëhet fjalë për një rrugë të prokuruar qysh më 2009, dhe të pabërë kurrë, e cila është marrë formalisht në dorëzim dhe janë likujduar “ndërtuesit”.
Pastaj ka ardhur në detyrë pasardhësi i tij, i cii po ashtu ka hedhur disa miliona të tjera në të njëjtën rrugë, duke e arnuar dhe duke mbyllur sytë para asaj që kishte ndodhur.
Tani ndaj këtij procesi, ka një reagim po ashtu politik, në formën e një kërcënimi për ditët e tij të burgut.
E vërteta është se drejtësia shqiptare nuk vuan nga dënimet e kota pa fakte, më shumë se nga mos-dënimet me fakte. Nëse nuk ka fakte për të, natyrisht që ai do të jetë i lirë. Problemi është se nëse faktet ekzistojnë dhe dosja është mbajtur tre vjet në sirtare, dhe në fund është tentuar të zhduket, atëhere hetimi duhet të zgjerohet edhe për ata që kanë bërë të mundur këtë gjë.
Unë nuk e njoh personalisht as Andi Tomën, i cili është bërë më shumë i njohur si burri i shoqes Argitës, se sa si zyrtar, dhe as Dashamir Xhikën. Nuk kam ndonjë emocion për procesin ndaj tyre, por për përpjekjet për të shmangur gjykimin e tyre në kohë, nga politika. Në këtë rast, është e pastër që së paku Sali Berisha tentoi disa muaj më parë të justifikonte “zhdukjen” e dosjes, duke shpikur një pistë tjetër, dhe sot LSI po del që është shumë e informuar që zyrtari i saj, ka tre vjet nën hetim dhe është e çuditur pse po veprohet tani.
Në këtë rast, kjo është prova më e mirë, se si politika ka penguar drejtësinë dhe se si tani drejtësia filloi të hetojë politikën.
Dhe është mirë që bashkë me autorët e dosjeve, të hetohen dhe ata që i penguan të hetohen këto dosje. Ky proces bile vlen më shumë për ata që e kanë penguar, se sa për ata që po gjykohen. Ata sekserë duket që kanë qenë.