Kompania amerikane OSIS, njoftoi të enjten se Komisioni i Shkëmbit të Aksioneve në Bursë (SEC) ka filluar hetimet ndaj saj lidhur me dyshimet për shkelje të ligjit që i ndalon ushtrimin e praktikave të biznesit duke korruptuar zyrtarë të huaj.
(SEC është një agjenci e pavarur federale, detyra e së cilës është të mbrojë investitorët dhe të sigurojë funksionimin e drejtë dhe të rregullt të tregjeve të aksioneve (bursave). SEC është krijuar nga Kongresi në vitin 1934 si agjencia e parë rregullatore e qeverisë federale për tregjet e aksioneve. SEC nxit transparencën e firmave dhe mbron investitorët ndaj praktikave mashtruese në bursa.)
Kompania po ashtu bëri të ditur se Departamenti i Drejtësisë, përmes zyrës së Prokurorit Federal të Distriktit Qendror të Kalifornisë ka kërkuar informacione nëse OSIS i është përmbajtur ligjit që ndalon praktikat korruptive.
Firma OSIS bëri të ditur se agjencitë federale po hetojnë bazuar mbi raportin e firmës investuese Muddy Waters, që e akuzon kompaninë për pagim ryshfetesh zyrtarëve shqiptarë për konçesionin që ka fituar në këtë vend.
OSIS e bëri publik njoftimin për hetimet të enjten, gjatë dhënies së informaconit për gjendjen financiare të kompanisë. Çmimi i aksioneve të saj ra menjëherë ndjeshëm me rreth 20% pas mbylljes së bursës. Në Shqipëri OSIS vepron përmes firmës Rapiscan.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Carson Bloc, drejtori i firmës investuese Muddy Waters dhe autori i raportit që ngre akuzën se OSIS e ka fituar kontratën konçesionare në Shqipëri përmes korrupsionit, i tha Zërit të Amerikës se në bazë të hetimeve të saj, kontrata konçesionare me Shqipërinë, që kapte një vlerë prej 150 – 250 milionë dollarë, ishte siguruar duke e shitur gjysmën e vlerës së kontratës, 49% të saj, për vetëm 4.5 dollarë, tek një kompani shqiptare, ICMS, gjoja për kontributin e saj, kryesisht në ndërtim, për aktivitetet e kompanisë.
Historiku i konçesionit në Shqipëri fillon në vitin 2013. Në atë kohë qeveria e Shqipërisë miraton një kontratë konçesionare me vlerë deri në 250 milionë dollarë për skanimin e kontenierëve. Firma fituese e kontratës është kompania amerikane Rapiscan, degë e firmës “OSI Systems”, ose OSIS, sipas inicialeve të tregëtimit në bursë.
Në Shqipëri, Rapiscani, është regjistruar me emrin S2 Albania. Por vetëm disa muaj pas nënshkrimit të konktratës, Rapiscani, ose S2 Albania, i kalon 49 për qind të kuotave, një firme shqiptare të njohur me inicialet ICMS, në pronësi të Olti Peçinit, me profesion mjek. Partneriteti, në bazë të ligjeve këtu në Shtetet e Bashkura, duhej të pasqyrohej në dokumentet financiare të firmës OSIS, si një kompani që shkëmbehet në bursë.
Kontrata u kritikua në Shqipëri si nga biznesi për tarifat e larta për skanimin e ngarkesave, por edhe nga opozita e asaj kohe. Kjo tërhoqi vëmendjen e firmës investuese Muddy Waters Research, e cila filloi hetimet e veta dhe zbuloi se firma OSIS e kishte mbajtur të fshehtë kalimin e 49 për qindësisht tek firma ICMS dhe për më tepër, ky 49 përqindësh, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ishte blerë për vetëm 4 dollarë e gjysmë.
Pas hetimeve të mëtejshme, Muddy Waters, në një raport të botuar javën e kaluar, arrin në përfundimin se firma OSIS e ka fituar kontratën në Shqipëri përmes korrupsionit, duke u dhënë ryshfet zyrtarëve shqiptarë.
Në një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës, nga San Francisko, ku janë zyrat e kompanisë, shefi i firmës “Muddy Waters”, Carson Block, shpjegon arësyet se përse është i bindur se marrëveshja e Rapiskanit është një rast korrupsioni.
Intervista është zhvilluar më 15 dhjetor 2017.
Zëri i Amerikës: Z. Blok, në raportin juaj lidhur me kompaninë OSI Systems thuhet se ajo është “e kalbur deri në rrënjë”. Si shembull ju sillni konçesionin e kësaj kompanie në Shqipëri. A mund të na përmblidhni shkeljet kryesore të OSIS-it në Shqipëri?
Carson Block: Në vitin 2013 OSI fitoi konçesionin për skanimin e ngarkesave me mallra që hynin e dilnin nga Shqipëria. Kur shohim të dhënat lidhur me këtë konçesion dhe ato që kanë ndodhur më pas, për ne bëhet e qartë se OSI ka paguar rryshfete në shkëmbim të fitimit të konçesionit. Kjo është me pak fjalë për Shqipërinë. Ne analizuam aspektet e tjera të kësaj veprimtarie, pasi kompania kryen 100 përqind të procesit të skanimit dhe na lindën disa dyshime. Ish punonjës të kësaj kompanie, po ashtu na treguan, duke vërtetuar kështu dyshimin tonë, se kultura e kompanisë përsa i përket zbatimit të ligjeve, ishte shumë e dobët.
Zëri i Amerikës: Në përgjigje të akuzave tuaja, OSIS-i thotë se kontrata në Shqipëri po zbatohet në partneritet me ICMS-në, një kompani ndërtimi vendase. Sipas zyrtarëve të OSIS-it, ICMS-i ka kryer gjithë aktivitetin e ndërtimit. Ndonëse duket si e pakuptimtë që 49% të interesave të kompanisë, ose një vlerë prej të paktën 100 milionë dollarësh, të shitet për vetëm 4.5 dollarë, mendoni se ekziston mundësia që ky interes prej 49 për qindësh, të jetë dhënë në këmbim të punës ndërtimore ose për çdo shërbim tjetër që ICMS-ja ka ofruar për Rapiscan-in? A mundet të ketë ndodhur kështu?
Carson Block: Unë kam qënë në këtë biznes, të investimit në bursë duke fituar nga rënia e çmimit të aksioneve të firmave, (short selling) prej 8 vjetësh. Përgjigja e firmës OSI, duke përdorur këtë justifikim, që ICMS ishte një partner i çmuar për zbatimin e këtij konçesioni, është një nga përgjigjet më të këqija që kam dëgjuar. Unë jam një ekspert i çështjeve që lidhen me korrupsionin. Ne shikojmë kulturën e korrupsionit të korporatave në mbarë botën. Unë kam jetuar dhe kryer biznes në Kinë për 6 vjet. I njoh mirë mënyrat si funksionon korrupsioni. Ndërtimi është një nga sektorët që përdoret më shpesh për të fshehur korrupsionin, pasi ndërtimi është një sektor i kushtueshëm dhe në vendet ku ka korrupsion, nuk është e pazakontë, që kostoja e ndërtimit të fryhet. Ne kemi katër arësye pse besojmë se justifikimi që ICMS-ja është një partner legjitim nuk qëndron dhe se kjo ka qënë një aferë korruptive.
Së pari, OSI qartësisht nuk donte që asnjë prej aksionerëve të saj të kishte njohuri për veprimtarinë në Shqipëri. Para se të nxirnim raportin, ne e pyetëm OSI-n, në se kishte ndonjë partner në Shqipëri, ata nuk pranuan ta bënin të ditur. Një ish drejtues i lartë i kompanisë, që duhej të ishte në dijeni të këtij informacioni, kur bisedoi me analistët tanë, që po kryenin hetimet dhe e pyetën direkt se përse OSI shiti 49% të konçesionit për vetëm 4.5 dollarë, u përgjigj “nuk kam ndonjë njohuri për këtë”. Pra duket se kompania është përpjekur fort t’ua fshehë këtë fakt aksionerëve, ndërsa nga ana tjetër mburrej me faktin se kishte siguruar një koncesion prej 150 – 250 milionë dollarësh, pa përmendur se gjysmën e kishin falur.
Së dyti, edhe në se do të kishin zgjedhur kompaninë më të mirë të ndërtimit në Shqipëri, edhe në se do të kishin zgjedhur kompaninë më të mirë të ndërtimit në botë, çfarë vlere sjell ajo për të merituar gjysmën e çmimit të konçesionit? OSI ka teknologjinë e vet të skanimit, që mesa duket vetëm OSI dhe Rapiscani e bëkan shumë mirë dhe askush tjetër nuk e bën dot, por prapë lind pyetja, sa firma ndërtimi në Shqipëri janë në gjendje të hedhin bazat prej betoni, ku do të vendoset makineria për skanimin, ose të ngrenë ndonjë ndërtesë të nevojshme? Fakti që kjo kompani merr 50 për qind vetëm për ndërtimin nuk ka llogjikë. Kjo na çon në arsyen e tretë.
Së treti, nga gjithë kompanitë e ndërtimit në Shqipëri, ju zgjidhni këtë? ICMS është një kompani konsulence dhe duket se nuk ka patur ndonjë aktivitet të madh para 2016. Por ICMS ka edhe një filial tjetër, të quajtur “ICMS Construction”. A mos është kjo dega e tyre e biznesit të ndërtimit? Por kjo kompani u krijua vetëm disa muaj para se Rapiscani të fitonte konçesionin. Kjo në fakt ishte një blerje nga aksioneri kryesor i ICMS dhe ICMS Construction për 100 mijë Lekë, rreth 850 dollarë amerikanë. Zor se mund ta quash firmë e madhe ndërtimi që mund të shtojë vlerë tek konçesioni.
Arësyeja e katërt përse ne mendojmë se kemi të bëjmë me korrupsion, janë afatet kohore. Normalisht kur një firmë e njohur ndërtimi konkuron për tender në partneritet, kjo është njohuri publike dhe thuhet hapur, që filan firmë dhe Bechtel, ose filan firmë dhe Hochtief. Por mesa dimë ne, në konçesionin e Shqipërisë ka qënë gjatë gjithë kohës vetëm OSI ose Rapiscani, nuk është përmendur ndonjë kompani ndërtimi. Por pasi fitohet konçesioni dhe pikërisht ditën e fundit të punës të ministrit të financave të qeverisë së mëparshme dhe ditën kur fillon punën ministri i ri, atëhere ndodh miratimi i transferimit të 49 përqindëshit. Kjo duket se ishte menduar që të mos bëhej kurrë publike, as këtu, por as në Shqipëri. Kur doli në dritë në Shqipëri, kur dolën tituj shkrimesh se ishte një “konçesion mafioz”, apo “vjedhja e shekullit” nuk pati ndonjë kundërargument serioz të dilte në atë kohë në shtyp. Unë kam besim të lartë se kemi të bëjmë me korrupsion.
Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni ju faktin që menjëherë pas formimit të këtij partneriteti me blerjen e 49 për qind të aksioneve, ICMS-ja i depozitoi ato në një bankë, si kolateral për të marrë një hua prej rreth 2 milionë dollarësh?
Carson Block: Me sa kuptojmë ne, ICMS-ja nuk do të kishte qenë në gjendje t’i transferonte aksionet në S2 Albania pa një miratim nga ministria e Financave. Prandaj, siç e shikoj unë, ICMS-ja mori hua para nga një bankë, por ra dakord me bankën se do të merrte miratimin e ministrisë para se të transferonte aksionet. Pra, ishte një premtim me kushte të buta. Në dokumentet e ICMS-së kjo është e vetmja herë që përmendet fakti se asetet e lidhura me këtë kredi kanë të bëjnë me aksionet në S2 Albania. Kjo e përforcon pikëpamjen tonë se ICMS-ja nuk ishte gjë tjetër veçse një aset i S2 Albania. Pra e përsëris, ishte një zgjedhje shumë e çuditshme e bërë nga një partner kaq i madh për të fituar konçesionin.
Zëri i Amerikës: Ju e konsideroni veten një ekspert në zbulimin e praktikave korruptive dhe keni publikuar praktika jo-ligjore nga kompani të tjera në të kaluarën. Në rastin e Rapiscan-it, cilat ishin dyshimet kryesore, që ju bënë ju të besoni se Rapiscani u ka dhënë rryshfet autoriteteve shqiptare?
Carson Block: Pikërisht, kur shohim këtë transaksion të pazakontë, në të cilin OSIS na duket se përpiqet t’ua mbajë të fshehtë aksionerëve të saj faktin që vërtet kishte fituar një konçesion të madh në Shqipëri, për të cilin folën me shumë entuziazëm, mirëpo kur njoftuan vlerën e konçesionit, ata nuk përmendën se zotëronin vetëm gjysmën e tij dhe se gjysmën tjetër ua kishin dhënë të tjerëve me një çmim të papërfillshëm. Këtu për mua ka një fshehje të qëllimshme. Nuk arsye që diçka të fshihet kur gjërat bëhen me transparencë të plotë. Oferta të këtij lloji për operacione të përbashkëta bëhen gjithmonë në rastet e kontratave dhe tenderave qeveritarë, prandaj nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur këtë, nëse gjërat do të ishin bërë në dritë të diellit.
Zëri i Amerikës: Disa firma ligjore në SHBA po përpiqen të ngrenë ndaj kompanisë OSIS, një padi që njihet si “class action lawsuit”, ku njëra prej palëve, që në fakt është një grup njerëzish, përfaqësohet kolektivisht nga një pjesëtar i atij grupi. Si funksionon ky proces?
Carson Block: Nuk është e pazakontë që avokatë të këtyre lloj çështjeve të kërkojnë paditës dhe të përpiqen të ngrejnë padi ndaj kompanive të ndryshme aksionere kur ka ankesa për praktika të parregullta apo për rënie në çmimin e aksioneve. E kemi parë këtë shumë herë në të kaluarën. Shumë kompani për të cilat ne shkruajmë, bëhen objekt i padive të tipit “class action”. Në fakt, pjesa më e madhe e këtyre padive zgjidhen përpara se të shkohet në gjyq, ose ndonjëherë nuk ndiqen më tej. Kjo ndoshta mund të ndodhë edhe në rastin për të cilin po flasim. Ka gjasa që të mos i shohim fare faktet, sepse çështja mund të zgjidhet pa gjyq. Por, nëse do të kemi gjyq, do të ishte interesante.
Zëri i Amerikës: Si ratë në gjurmë të shkeljeve të OSIS-it?
Carson Block: Ne flasim me investitorë në të gjithë botën, me njerëz që kuptojnë se ne nuk jemi në kërkim thjesht të kompanive për të cilat mund të vemë bast se aksionet e tyre do të bien, por edhe të kompanive, menaxhmenti i të cilave bën shkelje. Përmes këtyre bisedave na ra në sy diçka që në Shqipëri ishte me sa duket një sekret i hapur. Për këtë konçesion ka patur shumë mbulim nga media në Shqipëri si dhe akuza për veprime të parregullta, por aksionerët amerikanë nuk kanë qenë fare në dijeni të këtyre. Kur e mësuam këtë, na u duk me interes. Po ashtu, edhe pjesa meksikane e çështjes ishte me shumë rëndësi për aksionerët. Ne dimë se edhe me Meksikën ishte lidhur një kontratë mjaft e madhe, ku pala tjetër përfitonte 15 për fond të të ardhurave, por vlerësimi ynë është se bëhet fjalë për 50 për qind të OIBDA, që mat fitimin operacional. Kjo është një përqindje që analistët financiarë i kushtojnë vemendje të madhe. Kur ne pamë se kontrata ishte me aq fitim dhe se do të rinovohej vitin tjetër, kjo ngjalli interesimin tonë. Ne menduam se, nëse do të hidhnim dritë mbi atë që ndodhi në Shqipëri dhe do të ngrinim pikëpyetje rreth caktimit të përqindjes në rastin e Meksikës, kjo ndoshta do t’i bënte autoritetet meksikane ta shihnin më me kujdes kontratën para rinovimit të saj, duke bërë ndoshta që OSIS të mos merrte më një kontratë si ajo e para.
Zëri i Amerikës: Në fokusin e punës së Muddy Waters Research qëndron përpjekja për të ulur vlerën e aksioneve të një kompanie në bursë me informacione që dëmtojnë reputacionin e tyre. Ia keni dalë në disa raste të jeni të suksesshëm. Por a keni gabuar ndonjëherë?
Carson Block: Të kesh të drejtë dhe të bësh para janë dy gjëra të ndryshme. Në rastin tonë, ne kemi patur të drejtë dhe kemi dalë me fitim në një përqindje mjaft të madhe të rasteve kur kemi parashikuar rënien e aksioneve. Por sigurisht, ka situata kur e dimë se kemi të drejtë e megjithatë në fund nuk kemi dalë me fitim. Kjo ndodh zakonisht në rastet kur kompania në fjalë blihet nga një tjetër me një çmim të mirë. Një rast i tillë ka qenë me kompaninë e quajtur Autonomy të regjistruar në Britani. Ne nuk kishim të bënim me rastin në fjalë. Pati shumë investitorë që investuan me pritshmërinë se aksionet e kësaj kompanie do të binin, pasi ajo kishte mashtruar. Në këtë moment del firma Hewlett Packard, e cila e ble kompaninë Autonomy me çmim të lartë dhe ata që kishin investuar dolën me humbje. Një vit pas blerjes, Hewlett Packard ngriti padi për mashtrim kundër ish-menaxherëve dhe ish-bordit të kompanisë Autonomy. Ky është një shembull kur mund të kesh patur të drejtë në parashikim por mund të humbësh para. Megjithatë, ne bëjmë më të mirën për të analizuar një kompani, e nxjerrim informacionin në treg dhe pastaj varet nga investitorët të vendosin nëse informacioni është i saktë. Nëse ata mendojnë se është i saktë, aksionet bien, përndryshe aksionet rriten.
Zëri i Amerikës: Çmimet e aksioneve të OSIS-it ranë 30 për qind kur u publikua raporti juaj. A e keni nxjerrë ju fitimin? Apo mendoni se çmimi do të shkojë edhe më poshtë? Cili është vlerësimi juaj sot për OSIS-in?
Carson Block: Teoria jonë nuk ka ndryshuar. Ne jemi po aq të bindur, në mos më shumë sot, se kur botuam raportin. Mendimi ynë për kompaninë nuk ka ndryshuar.
Zëri i Amerikës: Dhe së fundi, gjatë hetimeve për koncesionin e OSIS-it në Shqipëri, a keni patur kontakte me qeverinë shqiptare, a keni marrë informacione prej saj?
Carson Block: Jo. Ne nuk kemi folur me ndonjë zyrtar të qeverisë shqiptare, por një gjë për të cilën e përshëndes Shqipërinë, është fakti që një pjesë e mirë e informacionit është elektronik. Ne rishikuam debatet për miratimin e konçesionit, ishte koha kur një deputet, Erion Braçe, pati një fjalim të gjatë rreth konçesionit, pamë pa dyshim dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por nuk kemi folur me ndonjë në qeveri, nuk kemi folur me ndonjë që lidhet me partitë politike. Po ashtu kemi patur hetuesit tanë në Shqipëri për të parë se mos kishte informacione të tjera shtesë. Mesa dimë ne, askush nuk ka folur me zyrtarët në pushtet./Zeri i Amerikes