Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi është kërcënuar dhe shantazhuar për herë të dytë në ambientet e televizionit nga persona ende të paidentifikuar.
Gazetari Mustafa Nano tha në studion e lajmeve të MCN Tv se këto ngjarje të njëpasnjëshme janë indikacion i një pasigurie totale.
Është indikacion i një pasigurie totale, edhe sikur të mos kesh lidhje fare me televizionin. Është shenjë që flet për pasiguri. Është bërë padi, ka ardhur policia për të verifikuar situatën dhe nuk ka asnjë lloj informacioni nga policia. Duhet të na thotë në çfarë pike ka arritur. Të na thonë nëse Endri Meksi ka halucinacione apo nëse ka gjëra konkrete. Është element pasigurie, mund ta lexoja në portale dhe do thoja çfarë po bëhet kështu…
Kemi të bëjmë me një media, që bën pjesë tek 4-5 mediat e rëndësishme të vendit. Janë me licencë lokale, por ndiqen kudo.
Më tej, Nano tha se qeveria dhe ministri i Brendshëm duhet të dalin dhe të mbajnë një qëndrim për këtë çështje.
Institucionet, qeveria, ministri i Brendshëm duhet të dalin dhe të mbajnë qëndrim. Ose të na thonë që (Meksi, që është viktima) është e gjitha e sajuar, le ta thonë dhe këtë, ose të na sqarojnë, duhet të japin informacion. Janë mendime që i kam pasur që në fillim.
Dje është bërë një kanosje e dytë. Videot janë të frikshme. Duket si film hollivudian. Njerëz që dalin nga makina, 3 djem me trup atletik, hyjnë brenda televizion, është skenar hollivudian policia duhet të ndërhyjë. E injoron mbase se nuk e kanë dhënë televizionet e tjera.
Policia nuk është se i merr indikacionet nga reagimet mediatike. Edhe MCN Tv mund të mos fliste, por ngjarja ka ndodhur.
Sipas Nanos, po aq shokues sa vetë kërcënimet është dhe mosreagimi i institucioneve.
Deri tani mesazhi që përcillet është që ‘për shkak të punës që bëhet për shkak të dëshirës për të informuar publikun këta njerëz po e pësojnë’. Sa kohë nuk kemi informacion tjetër që të na e provojë që jemi gabim, ky është mesazhi.
Policia hesht, kjo është anomalia më e madhe e punës së tyre.
Kemi një spektakël, një shfaqje. Aq sa jam i shokuar nga ngjarja që ka ndodhur, aq jam dhe nga pasiviteti i institucioneve që duhet të hetojnë. Nuk ka të bëjë me hallin e një institucioni. Mua reagimi i institucioneve mungesa e reagimit më ka shokuar sa ngjarja vetë.





