Në seancën e sotme në Gjykatën Administrative, ku u shqyrtua kërkesëpadia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror, përfaqësuesja ligjore e Presidencës ka bërë deklarata që vënë në pikëpyetje vetë procedurën e emërimit.
Gjatë seancës, përfaqësuesja e Presidencës u shpreh se, në kushtet aktuale dhe me dokumentacionin ekzistues, Dado nuk do të ishte dekretuar sot si prokuror.
Përfaqësuesja ligjore e Presidencës: Ajo çfarë më bën përshtypje është se avokati i referohet një neni të ligjit, por në atë kohë propozimet bëheshin nga prokurori i përgjithshëm, vlerësimi i kandidaturave nga Këshilli i Prokurorisë dhe presidenti ishte hallka e fundit. Në arkivën tonë ka vetëm një dekret, nuk ka një relacion.
Veliaj: Ju po thoni që në këtë propozim nuk ka një relacion në lidhje me këtë çështje.
Presidenca: Me kaq dokumentacion, në këtë kohë nuk do të ishte dekretuar, por në atë kohë ne nuk e dimë si ka qenë ligji.
Burime nga brenda seancës konfirmojnë se përfaqësuesit e Presidencës, si palë e paditur në proces, kanë shkuar edhe më tej, duke pranuar se nëse Dado do të paraqitej sot si kandidat me CV-në që ka, nuk do të miratohej.
Sipas të njëjtave burime, në arkivin e Presidencës gjendet vetëm një kërkesë nga ish-Kryeprokurorja Ina Rama, ndërsa mungon e gjithë dosja e praktikës që do të provonte përmbushjen e kritereve nga ana e kandidatit.





