Në Gjykatën Administrative të Tiranës u zhvillua sot seanca gjyqësore lidhur me padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado. Veliaj kërkon pavlefshmërinë e dekretit të vitit 2008 të presidentit të Republikës së asaj kohe (Bamir Topi), për emërimin e prokurorit Dado, me argumentin se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore.
Në këtë proces, Ols Dado ka zgjedhur të mbrohet me avokatin Erarbër Madhi, i cili ashtu siç edhe pritej ka kërkuar që padia e Erion Veliajt të mos pranohet nga gjykata. Erarbër Madhi nuk është një emër i panjohur. Madhi ka pasur një karrierë prej 19 vitesh në sistemin gjyqësor si gjyqtar në Fier, Vlorë dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Erarbër Madhi u shkarkua nga detyra me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, më 27 korrik të vitit 2023, për fshehje pasurie. Madhi u shkarkua nga detyra e gjyqtarit me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, sipas të cilit ishte i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Si gjyqtar, Erarbër Madhi është denoncuar për afera dhe shkelje nga më të pabesueshmet. Përpos të tjerave, Madhi u denoncua në vitin 2021, kur ishte gjyqtar në Vlorë, se kishte shqyrtuar një kërkesë padi të shtetasit Vasil Stramarko, depozituar në gjykatë në dhjetor të vitit 2009, përmes të cilës kërkonte një pronë prej 10.4 hektarë truall në Palasë të Vlorës.
Por, referuar certifikatës së vdekjes të lëshuar nga Qarku i Vlorës, paditësi Vasil Stramarko kishte ndërruar jetë që dhjetor të vitit 2007. “Dua të denoncoj veprimet e Gjykatës së Vlorës, që po bën 5 vite që na sorollat. Daja im ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2007. Ndërkohë, dy vite më pas, në vitin 2009, rezulton se ka firmosur një kërkesëpadi dhe e ka dorëzuar në Gjykatën e Vlorës. Pra është ngritur nga varri dhe ka shkuar në gjykatë”, denoncoi në media Foto Andrea.
Ish gjyqtari Erarbër Madhi jo vetëm i shpëtoi ndëshkimit, por më vonë u transferua në Gjykatën Administrative të Tiranës. Madhi arriti të kalonte edhe shkallën e parë të Vetingut. U desh agazhimi i ONM-së, Komisionerit Publik dhe KPA që Erarbër Madhi të shkarkohej nga detyra. Pas shkarkimit, Madhi nisi të shfaqej sërish në sallat e gjyqit, tashmë jo si gjyqtar, por si avokat. Mes shumë çështjes, Erarbër Madhi do të mbrojë në Gjykatën Administrative Ols Dadon nga shkarkimi.




