Nga Migena Aleksi
Çështja “Veliaj vs Dado” është parë deri tani si një përplasje personale. Por deklarata e Presidencës në seancën e kësaj të premteje, e kthen në një krizë të besueshmërisë së të gjithë sistemit të emërimeve në drejtësi.
Është një lëvizje shumë interesante “shahu” juridik dhe politik, që tregon një distancim të qartë të Institucionit të Presidentit nga e kaluara e afërt e emërimeve në drejtësi.
Nëse e zbërthejmë deklaratën: “Nëse Dado do ishte propozuar sot, nuk do të ishte miratuar” çfarë lexohet mes rreshtave?
Presidenca po thotë praktikisht që “kemi bërë një gabim (ose kemi pasur kufizime) në kohën kur u dekretua, por sot nuk do ta përsërisnim”. Kjo tregon se Presidenca e njeh tashmë që integriteti ose figura e prokurorit në fjalë është e kontestueshme. Është një lloj shkarkimi moral.
Veliaj po kërkon të provojë se prokurori nuk kishte kriteret e duhura kur mori detyrën. Kur vetë institucioni që e dekreton (Presidenca) thotë se sot nuk do ta kalonte, kjo e legjitimon argumentin e Veliajt se procesi i përzgjedhjes së prokurorit ka pasur krisje.
Në seancë është hedhur “topi” te ish-Presidenti Topi por edhe te KLP. Gjykata ka kërkuar që KLP të jetë palë e paditur.
Tensioni ka lënë të kuptohet se filtrat e Vetting-ut ose të emërimeve nuk kanë qenë aq hermetikë sa pretendohet.
Përdorimi i fjalës “Sot” tregon se Presidenca kërkon të shfaqet si një roje më e rreptë e ligjshmërisë tani që situata politike dhe juridike është rënduar.
Është një përpjekje për të treguar se institucioni ka reflektuar dhe po kërkon standarde më të larta, ndoshta për t’u mbrojtur nga akuzat e ardhshme për bashkëpunim në emërime të gabuara.
Ky qëndrim është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, tregon transparencë dhe reflektim. Nga ana tjetër, tregon brishtësinë e shtetit: Si mundet që një institucion kaq i lartë të pranojë që ka miratuar dikë që sot e konsideron “të papërshtatshëm”?
Kam dëgjuar sot të thonë se është një lëvizje për të ndihmuar Veliajn, dëgjova edhe që Presidenti po mbron veten nga “patatja e nxehtë” që i ka mbetur në dorë.
Këto versione nuk e ndryshojnë thelbin: Sa prokurorë të tjerë kemi sot në sistem, që nëse do propozoheshin “sot”, Presidenca nuk do t’i dekretonte?
Emri i Dados është propozuar nga Ina Rama dhe është firmosur nga Topi. Më ka mbetur në mend se disa kohë më parë ish-prokurori Ervin Karanxha tha se Ols Dado është bërë prokuror me ndihmën e Ina Ramës, pasi kanë pasur njohje me njëri-tjetrin.
Karanxha u shpreh se SPAK duhet të nisë hetimet për ish-prokuroren e përgjithshme. Citoj:
“Dado është bërë prokuror në kundërshtim me ligjin. Ligji i 2001 e ndalonte. Nderin ja ka bërë ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama. Këta dalin se kanë qenë në shkollë bashkë dhe kanë njohje, dhe kjo është një tjetër shkelje e ligjit, ligji për konfliktin e interesit. Ky njeri është futur më pas në sistemin e ri të drejtësisë, ku kriteri kryesor është shkolla e Magjistraturës. Është e çuditshme që kalon vetingun dhe futet në SPAK. Këtu ka një dështim të plotë, sepse ka kaluar të gjitha filtrat.
Janë shkelur 2 ligje, ligji organik dhe ligji për konfliktin e interesit. SPAK duhet të nisë një hetim ndaj ish-prokurores Ina Rama. Prokuroria nuk është pronë private të fusim kë duam ne…”



