Sejmen Gjokoli, specialist i trashëgimisë kulturore shpirtërore bën me dije se “Nëndetësja 105” e famshmja historike e Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë është rindërtuar. Tanimë do kemi një aset të rëndësishëm në shërbim të kulturës e historisë.
Siç bën me dije Sejmen Gjokoli, dy ish specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për ti dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme.
Postimi i Sejmen Gjokolit:
Kam kohë që i ruaj pa publikuar këto foto.
Prej dimrit që shkoi, ditës që pata rastin të vizitoj nga afër Nëndetësen 105, të famshmen historike të Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë.
E quaj fat atë moment kur për të parën herë do të hyja në “barkun” e një nëndetësje e ca më tepër kur ky mjet i sofistikuar ushtarak lidhet me një nga historitë më të lavdishme e më dridhëruese të ushtrisë shqiptare në vitet e luftës së ftohtë.
E shkatërruar dhe e xhveshur tërësisht në vitin e mbrapsht ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait. Këtu do ti shpëtonte edhe “skartimit” të çmendur kur simotrat u bënë skrap për pangopësinë.
Askush se di, ose më mirë të them fare pak e dinë që, pikërisht brenda kësaj nëndetësje, për rreth tri apo katër vite që dy burra, dy ish specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për ti dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme.
Me thonj kanë punuar e ashtu një e nga një ja kanë gjetur e montuar paisjet, pjesët dhe aksesorët e rrjepur barbarisht.
Prej rrjetit elektrik, të ajrimit e aspirimit, vendkomandës, pultin e drejtimit, dhomën e silurave, krevatet e marinarëve, guzhinën etj. Gjer te dhomat zyra të komandantit e komisarit, të dya përballë njera tjetrës të ndara nga koridori i ngushtë.
Çdo gjë ashtu si ka qenë, në çdo detaj e paisje deri te vidat më të imta e ornamentet e varura. Edhe boja e ngjyrat rigorozisht orgjinale, jashtë e brenda. Tani thuajse e gatshme të presë e të përcjellë vizitorë duke shtuar kështu një aset të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm për Vlorën.
Pa diskutim dita që do deklarohet startimi zyrtar i aksesimit të Nëndetëses 105, vendosur diku në një nga kalatat detare të Gjirit të Vlorës, do të shënojë edhe krijimin e një prej atraksioneve më madhore në fushën turistike e historike në hapësirën gjithë shqiptare.
Dhe me siguri atë ditë do flitet gjatë e mbase nuk do mungojë nderimi e vlerësimi për Neim Shehun e Ferdinand Hodon, dy mjeshtrat orikumas që 105-ën e shkretuar e rijetësuan për ta patur përsëri në ujrat adriatiko-joniane, tanimë të qeta por jo pak të lakmuara.
Tani për tu treguar brezave se edhe për luftën e kemi të lashtë e gjëmimtare historinë!…