Shqipëria do të duhet të presë për të marrë një përgjigje nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi Raportin e Ndërmjetëm, që do ta kalonte në fazën tjetër procesin e negociatave. Duke marrë shkas nga një takim për Shqipërinë të mbajtur sot në Bruksel në Grupin e Punës COELA, Report TV u interesua pranë Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili thotë se për të arritur në një marrëveshje vendeve anëtare do t’i duhen edhe disa raunde të tjera bisedimesh.
“Është bërë njëfarë progresi, por diskutimet janë ende në vazhdim në këtë fazë relativisht paraprake. Në çdo rast, priten edhe disa raunde të tjera diskutimesh përpara se të arrihet një marrëveshje në nivelin e COELA mbi një draft të përkohshëm të Pozicionit të Përbashkët të BE-së (EUCP)”, është përgjigjur Këshilli i BE.
Zëdhënësi i Këshillit nuk jep detaje mbi bisedimet që janë bërë mes ambasadorëve, por thotë se shpesh drafti i pozicionit të përbashkët rishkruhet vazhdimisht, në bazë të pyetjeve dhe shqetësimeve të vendeve anëtare.
“Drafti i përkohshëm i Pozicionit të Përbashkët të Bashkimit Evropian (siç është paraqitur nga Komisioni) sigurisht që ka pësuar ndryshime të shumta, por ky është ende një proces në zhvillim (dhe do të ketë të tjera në takimet e ardhshme), pasi diskutimet në nivelin e COELA ËP janë ende në vazhdim. Megjithatë, siç u përmend më sipër, nuk mund të zbulojmë detaje të këtyre diskutimeve, pasi kjo mund të rrezikojë seriozisht procedurat e brendshme të diskutimeve të imtësishme të grupit të punës”, thotë ekskluzivisht për Report Tv Këshilli i Bashkimit Evropian.
Që ky muaji do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë në Bruksel e pranoi sot edhe Kryeministri Rama i cili nga ana tjetër mohoi kategorikisht që negociatat të kenë pasur bllokime.
“Jemi totalisht sipas axhendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe vjen vendimmarrja”, tha Rama.
Më 26 shkurt, Komisioni Evropian i paraqiti vendeve anëtare Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme, IBAR, për grupkapitullin e parë, Themeloret. Në disa takime rresht të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet Negociuese me BE (COELA), në muajt mars dhe prill, Raporti është diskutuar nga ambasadorët e vendeve anëtare, të cilët fillimisht do duhet të arrijnë një dakortësi në parim, përpara se ta miratojnë. Një proces kompleks që kërkon unanimitet.
Mosmarrja e një vendimi është interpretuar nga opozita në Tiranë si një bllokim i proces nga disa vende anëtare, por që është kundërshtuar nga qeveria.
Kryenegociatorja Dhuka tha në një mbledhje qeverie më 30 mars se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e ndërmjetme në procesin e negociatave dhe është duke pritur vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare për të nisur më pas me mbylljen e kapitujve.





