Sot është dita e negociatave të shumëpritura mes SHBA-Iran në Pakistan. Presidenti i SHBA-së Donald Trump i uroi fat zëvendësit të tij JD Vance, i cili kryeson delegacionin amerikan, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Trump ripërsëriti kundërshtimin për vendosjen e taksave në Ngushticën e Hormuzit duke kujtuar se ato janë ujëra ndërkombëtare. Më tej ai deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet “shumë shpejt”, me ose pa bashkëpunimin e Iranit.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Uashington në prag të bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Pakistan, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “do ta rihapin Gjirin” dhe se vendet e tjera janë “të gatshme të ndihmojnë”.
“Nuk do të jetë e lehtë. Do të thoja këtë: Ne do të jemi në gjendje ta rihapim (ngushticën) shumë shpejt”, tha Trump.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë e rëndësishme tranziti për naftën globale dhe çdo ndërprerje e trafikut detar ka efekte të menjëhershme në çmimet e energjisë dhe stabilitetin e furnizimeve globale.
Ndërkohë edhe delegacioni iranian i përbërë preej 71 anëtarë ka mbërritur në Islamabad. Grupi përfshin negociatorë të lartë, këshilltarë teknikë, përfaqësues të medias, si dhe personel diplomatik dhe të sigurisë.
Ekipi negociator udhëhiqet nga Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe përfshin Ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, Guvernatorin e Bankës Qendrore Abdolnaser Hemmati, Sekretarin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare Ali Akbar Ahmadian, Zëvendës Ministrin e Jashtëm Kazem Gharibabadi dhe zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei.
Bisedimet e planifikuara për sot, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vijnë në mes të tensioneve të larta rajonale dhe synojnë të konsolidojnë një armëpushim të brishtë pas javësh konflikti dhe paqëndrueshmërie që kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë.
Teherani ka vendosur dy kushte ndaj SHBA-ve: Izraeli të ndalë sulmet në Liban dhe zhbllokimin e aseteve para fillimit të bisedimeve. Trump paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, do ta sulmojnë fuqishëm Iranin.


