Gati dy vjet më parë, ish Drejtori i Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, dhe 4 anëtarë të KPP-së u vunë nën hetim nga SPAK. Arsyeja? Dyshoheshin për shkelje të barazisë në tendera.
Në qershor 2024, SPAK i mori zyrtarisht të pandehur në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.
Nga ai moment, kamerat e televizioneve, që janë stacionuar para dyerve të SPAK për të kapur live “viktimat”, e kanë filmuar Myzyrajn (dhe të tjerët) me dhjetra herë, duke hyrë e duke dalë nga dera e hekurt.
Po aq herë sa ka hyrë e ka dalë ai nga SPAK, po aq herë edhe është sharë hajdut, është fyer si i korruptuar, është tallur për pamjen e tij – në rrjetet sociale nuk u ndalën sulmet, PD-ja e pikasi si të babëzitur, në portale u dënua si i korruptuar, u masakrua si njeri që kishte vjedhur e përfituar nga taksat e popullit, i thanë një mijë e një të zezat.
Në fund, edhe u shkarkua nga detyra. U damkos si një njeri që tani ishte në duart e SPAK-ut dhe “vate ajo punë”. Në burg e kishte vendin!
Po çfarë ka ndodhur sot?
SPAK vendosi të pushojë çështjen hetimore për Myzyrajn dhe 4 anëtarët e KPP-së. Pasi u dënuan pa gjyq nga opinioni publik, media dhe opozita, çështja e tyre pushoi. Të damkosurit si hajdutë për 2 vjet me radhë, nuk na qenkan të tillë. SPAK thotë se nuk paskan kryer asnjë vepër penale. GJKKO-ja të pushojë çështjen, thanë.
Po si kështu? Po tani? Çdo të bëhet me ta? Kush është përgjegjës për gjithë dramën jetësore dhe familjare që iu shkaktua këtyre njerëzve, nëpunës publikë?
Po Google-it kush do t’i thotë se ata janë të pafajshëm? Po me titujt e zinj të portaleve, të ushqyera nga gojët e liga të opozitës, çfarë do të bëhet? Si do t’u hiqet damka e hajdutit, të cilën opinioni, media, politika, SPAK, ua vuri me pa të drejtë në kurriz?




