Nga Bjorn Runa
Në orët e para të mëngjesit të 11 prillit, katër persona zbarkuan në Oqeanin Paqësor pasi kishin përshkuar një udhëtim prej 1.117.515 kilometrash rreth Hënës me anijen hapësinore Integrity. Sipas të gjitha pritshmërive teknike, misioni ishte një sukses, ndërsa ekuipazhi arriti të thyejë rekordin e mëparshëm të vendosur nga Apollo 13.
Megjithatë, vetëm pak orë pas nisjes së ekuipazhit drejt hapësirës, një pjesë e madhe e banorëve të planetit nxituan të shpjegonin se si asgjë nga ato që shkruheshin apo shfaqeshin në video nuk ishin të vërteta. Teoritë konspirative u përhapën, si gjithmonë, në mënyrë mjaft demokratike, thuajse në çdo gjuhë të njerëzimit, nga ato më të përhapurat, deri tek ato më të rrallat dhe më pak të folurat, përfshirë këtu edhe shqipen.
Ndonëse nuk shquhemi për ndonjë ndikim ndaj agjencive hapësinore amerikane, mund të themi se patëm edhe ne “arritjen” tonë në këtë mision, pasi detyruam NASA-n të na përgjigjej në hapësirën e komenteve të një prej fotografive të publikuara.
Fotografia në fjalë është ajo e Tokës, parë nga ana e largët e Hënës, poshtë së cilës një komentues shkruante: “Pse nuk duken yjet? Dyshoj se kjo foto është krijuar nga inteligjenca artificiale,” duke e detyruar NASA-n të zbresë për pak çaste nga hapësira… në seksionin e komenteve.

Tani, NASA është një agjenci hapësinore me një buxhet prej afro 25 miliardë dollarësh dhe rreth 18 mijë punonjës. Gjatë gjashtë dekadave, ajo ka dërguar njeriun në Hënë, ka nisur misione eksploruese në kufijtë e sistemit tonë diellor dhe ka arritur të vështrojë pas në kohë deri në disa qindra miliona vite pas Big Bang-ut. E megjithatë, ja ku e gjen veten në komentet e Facebook-ut, duke i kthyer përgjigje një shqiptari që dyshon jo vetëm udhëtimin, por edhe vetë ekzistencën e Hënës, sepse… nuk duken yjet në foto.
Komentuesi, si shumë të tjerë si ai nëpër botë, e ka më të lehtë të besojë në një konspiracion të ndërlikuar global sesa të kujtojë një fakt elementar: yjet nuk duken në fotografi kur pranë ndodhet një objekt më i madh dhe më i ndritshëm, edhe kur ai objekt, si Hëna, nuk ndriçon vetë, por thjesht pasqyron dritën e dikujt tjetër. Drejtoje aparatin nga ajo dhe yjet “zhduken”. Drejtoje nga një llambë dhe muri pas saj “humbet”. Kaq mjafton. Kërkon më pak mund të kuptosh këtë sesa të ndërtosh një teori të tërë konspirative. Problemi është se, edhe kur marrin përgjigje, kjo jo vetëm nuk i qetëson, por i bind edhe më tepër se diçka po u fshihet.
Është joshëse t’ia atribuosh këtë fenomen dështimit të institucioneve, arsimit dhe medias. Është mënyra më e lehtë që ne – ata që nuk dyshojmë në gjëra të tilla si ekzistenca e Hënës – të ndihemi pak më mirë, duke besuar se budallallëku është thjesht mungesë informacioni. Por ndoshta nuk është kaq e thjeshtë. Sepse, në siç po e shohim, sa më shumë informacion qarkullon, aq më shumë rritet edhe gatishmëria për të besuar në teori konspirative.
Ndoshta problemi është më i thellë. Ndoshta nuk jemi domosdoshmërisht një specie inteligjente siç na pëlqen të mendojm. Mund të jemi një specie e zgjuar, po kjo është diçka tjetër. Ne jemi mjaftueshëm të zgjuar për të ndërtuar raketa dhe, brenda të njëjtit cikël lajmesh, për të nisur tri apo katër luftëra njëkohësisht për territore që pas një apo dy shekujsh nuk do të kenë asnjë rëndësi. Mjaftueshëm të zgjuar për të krijuar sisteme ekonomike që prodhojnë pasuri në nivele të paimagjinueshme, ndërsa njëkohësisht lejojmë që fëmijët të vdesin nga sëmundje të parandalueshme. Dhe, në të njëjtën kohë, të debatojmë në prime time nëse Hëna ekziston apo jo.
Ndaj, ndoshta arritja më e madhe e “Artemis II” nuk ishte fakti që na çoi më pranë Hënës, por se na solli më pranë një të vërtete më të pakëndshme për veten: faktit se jemi një specie ku disa individë ende të aftë bëjnë bashkë matematikën me realitetin arrijnë, herë pas here, të shkojnë shumë larg… por kjo nuk do të thotë se njerëzimi përparon si një i tërë. Progresi nuk na përket ne të gjithëve. Ai prodhohet nga shkencëtarë, inxhinierë dhe mendimtarë, ndërsa ne të tjerët jo vetëm nuk ecim në një hap me ta, por në shumicën e rasteve mbetemi të paaftë të kuptojmë edhe të vërtetat më elementare.





