Shkalla e obezitetit në Kinë po rritet ndjeshëm, duke sjellë një trend të ri: “burgjet e dhjamit”, qendra me regjim të rreptë për humbje të shpejtë në peshë përmes dietës, stërvitjes intensive dhe mbikëqyrjes 24-orëshe.
Numri i fëmijëve obezë është katërfishuar që nga viti 2000, ndërsa mbi gjysma e të rriturve janë mbipeshë. Parashikohet që deri në vitin 2030, 65% e të rriturve mund të jenë mbipeshë ose obezë. Si pasojë, janë shtuar kampet që premtojnë dobësim të shpejtë brenda një muaji.
Pjesëmarrësit regjistrohen vullnetarisht, por përballen me rregulla të forta: dieta të kontrolluara, deri në katër orë stërvitje në ditë dhe ndalim i ushqimeve jashtë programit. Objektet janë të mbyllura dhe të monitoruara vazhdimisht.
Disa përvoja tregojnë humbje të shpejtë në peshë, por edhe efekte anësore si stresi apo rënia e flokëve. Madje, në vitin 2023 u raportua edhe një rast vdekjeje gjatë një programi të tillë.
Ekspertët paralajmërojnë se këto metoda mund të jenë të rrezikshme dhe kërkojnë më shumë kontroll, pasi industria e dobësimit po përfiton nga presioni shoqëror për trupin perfekt.





