Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po bëhet gati të fluturojë drejt Parisit për një nga takimet më delikate të momentit. Të premten ajo pritet të jetë mysafire e presidentit francez Emmanuel Macron, bashkë me Keir Starmer dhe Friedrich Merz, për të diskutuar krizën në ngushticën e Hormuzit dhe një mision të mundshëm europian në zonë.
Zyrtarizimi pritet të vijë, por një gjë është e qartë: e vetmja arsye që Meloni mund të mos shfaqet në Elysee është nëse kancelari gjerman vendos të qëndrojë në Berlin. Deri tani, sinjalet janë që Gjermania do të jetë pjesë, kështu që samiti pritet të zhvillohet normalisht, ndërsa pjesëmarrës të tjerë do të lidhen online.
Takimi është edhe simbolik. Meloni do të ulet përballë Macron, me të cilin ka pasur jo pak përplasje në të kaluarën. Por në politikë mesazhi është i qartë: pas krisjes me Donald Trump, një vendim që erdhi nga vetë presidenti amerikan, kryeministrja italiane zgjedh t’i bashkohet tryezës së liderëve europianë për një nga dosjet më të nxehta gjeopolitike.
LEXO EDHE:
Italia rikonfirmon partneritetin me Shqipërinë, Meloni pas takimit me Ramën: Forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve
Hormuzi është sot pika më e ndjeshme. Një bllokim i tij do të ishte kërcënim real për ekonomitë e Bashkimit Europian dhe një nga përplasjet më të forta me Uashingtonin. Duke shkuar në Paris, Roma në një farë mënyre po çon një sinjal drejt Shtëpisë së Bardhë: ekziston edhe një alternativë ndaj afrimit të fortë me Trump që është parë muajt e fundit.
Një alternativë e vështirë, e lindur nga një përçarje e hapur me SHBA, por që gjithsesi po testohet në terren.
Për Melonin, kjo duket si një “plan B”, ende pa detaje të plota. Edhe ideja e një misioni europian në Hormuz është e mbuluar me paqartësi. Sot pritet që këshilltarët dhe vetë liderët të shkëmbejnë informacionet e para për të kuptuar konkretisht çfarë kanë në mendje Parisi dhe Londra.
Nga njëra anë, amerikanët po shtyjnë për një angazhim të menjëhershëm, një nga pikat ku Trump ka kritikuar hapur Melonin. Nga ana tjetër, vendet europiane këmbëngulin se duhet fillimisht një armëpushim i qëndrueshëm.
Angazhimi i Italisë do të përcaktohet në ditët në vijim dhe nuk është e thënë të kufizohet vetëm te dërgimi i anijeve për çminim. Franca mund të riaktivizojë një mision të vjetër në zonë dhe t’u kërkojë aleatëve të përfshihen për garantimin e sigurisë në Hormuz, edhe si një mënyrë për të ulur presionin nga SHBA.
Situata është në lëvizje të vazhdueshme.
Sulmi i fundit politik i Trump ndaj Melonit e bën këtë lëvizje pothuajse të detyrueshme. Nëse në Uashington ajo nuk shihet më si “mikja Giorgia”, atëherë sytë kthehen drejt Parisit dhe Berlinit. Madje fillimisht drejt Berlinit: vendimi për të marrë pjesë fizikisht në takimin e Macron dhe jo vetëm online ka ardhur pas koordinimit me kancelarin gjerman, me të cilin Italia synon të lëvizë në një linjë për Hormuzin.
Megjithatë, balanca me SHBA mbetet shumë delikate. Nuk është e lehtë të zhbëhet një marrëdhënie e konsideruar “speciale”, aq sa Meloni ishte e vetmja lidere perëndimore që mori pjesë në inaugurimin e Trump në janar 2025.
Sinjalet ndaj Uashingtonit po jepen me kujdes. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani e sqaroi: “Nuk është krizë, por një dallim opinionesh”. Ndërsa Matteo Salvini ironizoi: “Sipas Trump, lufta ka mbaruar disa herë… por ende nuk ka mbaruar”.
Nga ana tjetër, vetë Meloni ka dhënë sinjale më të buta gjatë një konference me Volodymyr Zelensky, duke folur për rëndësinë e unitetit transatlantik.
Në Romë madje nuk përjashtohet që shumë shpejt të ketë edhe një telefonatë me presidentin amerikan, në përpjekje për të mos e çuar përplasjen më tej./LaRepubblica





