Edhe “babi Zenit” si Likja, paska vjedhur flori
Përveç vuajtjeve e talljeve të nisura në vitin 1992 me mbylljen e minierave, me skllavërimin dhe jetët e humbura nëntokë nga koncesionet mafioze të lidhura me qeveritarët e këtyre 26 viteve, minatorët kanë edhe një “histori turpi” të lënë “kujtim” nga Sali Berisha, 23 vite më parë kur ishte President Republike.
Me rastin e 4-vjetorit të kësaj greve mbështetur në Ligjin Nr.7580, datë 07/07/1992, dekretuar nga ish-Presidenti i Republikës, Sali Berisha, i cili dekoroi ish-minatorët grevistë të urisë, të cilët më 16 Maj 1991 u ngujuan në tunelet e minierës së Valiasit me rastin e 4-vjetorit të grevës. Ish-Presidenti Sali Berisha me Dekret Nr. 72, datë 22. 03. 1995, dekoroi 49 ish-grevistët minatorë të Valiasit me titullin “Pishtar i Demokracisë”.
Sipas këtij dekreti thuhej se medaljet ishin prej ari me peshë 9.2 gram secila shoqëruar edhe me “Pension të posaçëm” të përjetshëm për secilin minator grevist, me vlerë 25 miljë lekë të reja në muaj!
Pas shpalljes së dekretit, Sindikata e Minatorëve e drejtuar nga Gëzim Kalaja, u njoftua nga zëdhenësi i Presidencës Genc Pollo, se medaljet e arit do të dorëzoheshin personalisht nga Presidenti Sali Berisha, me ceremoni shtetërore në datën 25 maj 1995, me rastin e 4-vjetorit të grevës së urisë!
Ditën e ceremonisë mes një koktejli me lëngje, kikirika e banane, Saliu u dha vetëm nga një copë letër format “A-4” me tekstin e motivit të dekorimit dhe nga një urdhër me firmën e tij, por pa vulë drejtuar Sigurimeve Shoqërore për pensione të posaçme mujore nga 25 mijë lekë të reja secili, ndërsa për medaljet prej ari “Pishtar i Demokracisë”, u tha se do jepeshin më vonë, pasi firma turke ku ishin porositur për t’u prodhuar nuk i kishte sjell deri atë datë!
Pas 1 muaji një grup minatorësh të dekoruar iu drejtuan Sali Berishës me një kërkesë për medaljet prej floriri, por iu dha kjo përgjigje: “Prisni edhe pak ditë, janë duke ardhur nga Turqia”, refren që vazhdoi disa vite e tashmë ka mbetur si “kujtim tallës”, ndërkohë që Sigurimet Shoqërore nuk i kishin përfillur fare për pensionet e posaçme.
Sipas informacionit medaljet janë prodhuar në Stamboll me flori rezervë shtetërore shqiptare, janë dorëzuar edhe në Presidencë qysh në muajin janar 1995, por edhe sot pas 23 vitesh nuk u janë dorëzuar minatorëve dhe sipas llogaritjes fizike, 49 medaljet me peshë nga 92 gram secila, përbënin 508 gram flori, ose 5 kilogram e 8 gram që thonë se është “sekuestruar” nga familja Berisha e ndoshta për këtë “Nder”, sindikata e dekoroi Berishën me titullin “Nderi Sindikalizmit Shqiptar”!/Pamfleti/