Viktorian Picaku ishte i riu shqiptar i cili humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në sheshin Abazzia pasi u qëllua me 4 plumba nga dy persona ende të paidentifikuar.
23-vjeçari jetonte në Corato prej një kohë të gjatë.
Të gjithë e përshkruajnë të riun shqiptar si një djalë punëtor e të qetë, të cilit ia morën jetën padrejtësisht në sheshin “Abbazia”.
Vendi ishte i mbushur me fëmijë, familjarë e të rinj kur ndodhi ngjarja. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e vrasjes të së riut shqiptar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30, kur dy burra të veshur me të zeza të cilët udhëtonin me një motor tip “Vespa” shtinë 4 herë me armë zjarri në drejtim të tij dhe e lanë të vdekur në vend.
Viktori ishte shënjestra e zgjedhur në mes të turmës. Ai mori një plumb në kokë, dy në këmbë e një tjetër e tejshpoi në mushkëri.
Tentativat për ta shpëtuar ishin të kota, pasi Viktori vdiq para syve të turmës që e rrethonte me një heshtje surreale e cila thyhej vetëm nga ulërima e një prej miqve të tij më të mirë.
Karabinierët e Tranit kanë nisur hetimet dhe pista e parë e dyshimit mbi motivin e vrasjes: në origjinën e ekzekutimin ekzistojnë disa arsye pasioni. Viktori i kishte dalë në mbrojtje një vajze.
Ekskluzivisht për JOQ, një i afërm i tij ka rrëfyer motivin e vrasjes të së riut shqiptar.
Sipas këtij burimi, Viktori kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë të cilën po e rrihnin para syve të tij, disa ditë para se ta eliminonin.
Ky burim shton se i riu shqiptar ishte zënë me grushte me personat të cilët po dhunonin vajzën dhe vrasja e tij ka ardhur për motive hakmarrjeje.
Djali shprehet:
Pershendetje JOQ, jetoj ne Corato dhe e kam njof personalisht Viktorin. Ai u vra pse kishe nderhyr per te mbrojt nje vajze dhe kto plehra e kan vra nga inati. Ata ishin rreh at vajzen dhe Viktori ka nderhy dhe u zi me grushta, edhe kta nga inati e vranë.
Ai ishte nje djale i thjeshte edhe shum i qeshur. E vranë me 4 plumba mes qytetit, edhe fëmijët kur dëgjuan te shtenat iken me vrap nga frika. Te sheshi ku e kan vrarë “piazza abbazia” quhet ishe plot me njerz, burra gra edhe fëmijë, ata e qellun me armë mes te njerëzve.”