Detaje të reja po dalin nga mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar Socialist, ku në qendër të vëmendjes ka qenë Elisa Spiropali.
Sipas burimeve, Spiropali është përballur me kritika të drejtpërdrejta, ndërsa kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj saj.
Ai mësohet se i ka bërë të qartë se në PS ekzistojnë vetëm dy alternativa: Të jesh në linjë me shumicën ose përballë saj, duke përjashtuar hapësira për qëndrime të ndërmjetme apo reagime publike emocionale, si statuset që Spiropali ka postuar kohët e fundit. Madje, Rama ka shkuar edhe më tej, duke i cilësuar këto reagime si “qurravitje”.
Burime të pranishme në mbledhje tregojnë se Spiropali ka tentuar të reagojë, por pa marrë vëmendjen e Ramës, ndërsa takimi ka vijuar normalisht sipas axhendës së parashikuar.
Ndërkohë, në disa media është raportuar një version ndryshe i debatit, sipas të cilit Spiropali i është kundërvënë Ramës me deklarata sfiduese. Për të zbutur peshën e fjalëve të Ramës, i cili i ka kujtuar edhe mundësinë e përjashtimit nga PS, ajo ka shpërndarë një variant sikur i është përgjigjur kryeministrit duke i thënë: “Ti mund të më përjashtosh, por jo ajo (Belinda Balluku).”
Megjithatë, deputetë të PS-së i hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar se Elisa Spiropali duket sikur i trembet më shumë Belinda Ballukut sesa Edi Ramës. E jo më t’i drejtohet pa etikë para Grupit.
Strategjia që Spiropali po ndjek në media duket qartë se është sugjeruar nga “mentorët” e saj gazetarë, të cilët kanë vënë bast për kalin e gabuar. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në lojë, këshilltarët duket se nuk i kanë bërë mirë llogaritë me Edi Ramën, i cili këtë herë, me sa duket, nuk është i gatshëm ta falë. Ajo erdhi nga Mjaft!, mori gjithçka në PS dhe nuk u pranua kurrë nga socialistët, pavarësisht ndryshimeve në pamje, plaçka e takëme…



