Ish-drejtori i FBI-së James Comey iu dorëzua autoriteteve ligjzbatuese të mërkurën dhe doli para gjykatës në SHBA, pasi akuzohet se ka bërë një kërcënim ndaj presidentit Donald Trump. Ai u ndalua vetëm për pak minuta përpara seancës, e cila zgjati më pak se 10 minuta, dhe më pas u la i lirë pa asnjë kusht.
Sipas prokurorisë, çështja lidhet me një postim që Comey kishte bërë në rrjetet sociale vitin e kaluar. Ai kishte publikuar një foto me disa guaska në plazh që formonin numrat “86 47”, duke shkruar: “Formë interesante gjatë shëtitjes në plazh”. Kjo foto u interpretua nga republikanët si një mesazh i koduar kundër Trump. Në zhargonin amerikan, numri 86 përdoret ndonjëherë për të nënkuptuar “ta heqësh qafe dikë”, ndërsa Trump është presidenti i 47-të.
Vetë Comey i ka mohuar akuzat dhe thotë se është i pafajshëm. Avokatët e tij pritet të kundërshtojnë çështjen, duke akuzuar drejtësinë për ndjekje selektive.
Kjo çështje e re shihet si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të hetuar kundërshtarët e Trump, mes tyre edhe Comey, të cilin presidenti e konsideron si një nga figurat kryesore në atë që e quan përdorim politik të drejtësisë kundër tij. Zhvillimi vjen pak javë pasi Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, për të cilën kishte shprehur pakënaqësi, duke e akuzuar se nuk po vepronte mjaftueshëm fort për të zbatuar agjendën e tij.
Ndërkohë, ekspertët juridikë hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e akuzës. Juristi Eugene Volokh u shpreh se rasti “nuk ka gjasa të shkojë larg” dhe se bëhet fjalë për një kërcënim që vështirë se mund të dënohet sipas ligjit. Kjo është hera e dytë që Departamenti i Drejtësisë nën Trump ngre akuza ndaj Comey. Në shtator të vitit të kaluar ai u akuzua për mashtrim ndaj Kongresit lidhur me rrjedhje informacioni në media, por çështja u rrëzua më vonë nga një gjykatës federal për shkak të problemeve me emërimin e prokurorit.





