Nga Ylli Manjani
Nga një lexim i parë i përmbledhjes së vendimit njehsues të Gjykatës së Lartë, mund të them se:
1. Vendimi në vetvete është një ndërhyrje llogjike në saktësimin e proporcionalitetit të marrjes së masës së arrestit me burg. Vendimi kërkon detyrimisht që prokurorët e gjykatësit të eksplorojnë realisht masat e tjera të sigurisë, përpara se tu shkojë mendja të arrestojnë dikë. Padyshim gjë e mirë kjo por se si garantohet kjo që sugjeron Gjykata e Lartë, vendimi hesht. Nuk jep zgjidhje, por lë vend për ankime të tjera.
2. Masa e arrestit me burg, pa dyshim që duhet të jetë e individualizuar, siç thotë vendimi i Gjykatës. Por si garantohet barazia para ligjit në trajtimin proporcional nëse dy individë në të njëjtat kushte njëri arrestohet tjetri jo?! Pra a është individualizimi më i rëndësishëm se proporcionaliteti?
3. Po, prokurori e ka barrën të justifikojë arrestin dhe, po me argumenta reale dhe jo fantazi. Krejt dakord me vendimin e Gjykatës së Lartë. Por kush quhen “argumente reale”? Gjëra faktike të provuara më parë, apo supozimet që bazohen në dyshime?!
E përsëris, vendimi i gjykatës ka tentuar të ndryshojë diçka në vendimmarrje, por duket ende shumë teorik dhe lë pa trajtuar masën e arrestit në kontekstin e drejtësisë penale që kemi praktikisht.
Janë disa aspekte që meritojnë vemendje dhe ndërhyrje serioze që të marrin kuptim edhe sugjerinet e vendimit të sotëm të Gjykatës. Ndoshta jo të gjitha i zgjidh Gjykata e Lartë. Do të duhen edhe ndërhyrje ligjore. Por konkretisht e kam fjalën për këto aspekte:
1. A mundet që një proçedim i parregullt penal, që nuk i është nënshtruar fare kontradiktoritetit gjyqsor të legjitimojë një masë arresti me burg?!
Kujdes: prokurori rregjistron proçedim penal edhe nga asgjëja dhe nuk i jep askujt llogari për këtë gjë…
2. A mundet që masa e arrestit me burg të vendoset ndaj personave nën hetim, që në faza të hershme të hetimit dhe pa afat të përcaktuar? Nëse po, cili është dallimi ndërmjet personit nën hetim dhe të pandehurit? A a dallon statusin e këtyre dy kategorive prova (cilësia e saj), apo thjesht faza e në të cilën gjendet proçedimi?!
3. A mund të shërbejë si provë sa për arrest një përgjim, kur Kodi i Proçedurës përgjimin e quan mjet për sigurimin e provës?
4. A mund të mbahet personi në paraburgim me një vendim të hershëm të gjykatës së hetimit, kur çështja kalon në gjykim? A duhet të ketë të drejtë ekskluzive gjykata e themelit të vendosë masat proporcionale për interes të gjykimit?
Kujtoj: se për efekt llogaritje, paraburgini ngahet në periudhë hetimore dhe periudhë gjykimi. Por gjykimi nuk ka detyrimin të ketë vendimin e vet për masën.
5. Çfarë quhet “dyshim i arsyeshëm”? Çdo fantazi e prokurorëve?! Reputacioni i keq i të hetuarit?! Apo lidhja faktike e veprimeve e mosveprimeve të tij/saj me pasojën kriminale?!
Kujtoj se KPrP e shoqëron togfjalëshin “dyshim i arsyeshëm” me fjalët “bazuar në prova. Pra në numrin shumëz “prova….”.
Tani, a do ketë fjala “provë” kuptim të dyzuar sipas vendimit të 2011-ës të Gj së Lartë dhe ligjit? Pra a do kemi përsëri një çikë provë sa për arrest dhe provë tamam në gjykim, siç bëhet deri më sot?!
6. Kush ka më rëndësi në vlerësimin e një arresti me burg, rrezikshmëria teorike e veprës së supozuar apo rrezikshmëria e personit të dyshuar?! Për çfarë kërkohet arresti, për të mbrojtur hetimet apo për të ndaluar shmangien e personit nga hetimet dhe gjykimi?! Nëse është kjo e dyta, përse paraburgosja nuk quhet dënim?!
Ka edhe më shumë, por kaq si më kryesoret që kam për debatin e arrestit me burg.
E përshëndes vendimin e Gjykatës së Lartë sepse është një përpjekje sidoqoftë. Ai vendim të paktën ka rrëzuar “monopolin” e atij vendimi famëkeq me nr 7 të 2011-ës.
Por ka ende shumë gjëra të tjera që kërkojnë ndërhyrje serioze në sistemin e drejtësisë penale. Një sistem që është ndërtuar për t’ia lehtësuar punën prokurorit dhe qorrollepsur gjykatat.
Në këtë pikë, duhet edhe ndërhyrja e ligjvënësit.



