Yanis Varoufakis, ish-ministër i financave të Greqisë, në emisionin “Debat Plus” ka folur me tone pozitive për Kosovën, duke theksuar se imazhi i saj në Greqi ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.
“Imazhi i Kosovës në Greqi është përmirësuar dramatikisht gjatë dy apo tri viteve të fundit”.
Sipas tij, në këtë ndryshim ka ndikuar edhe pozicioni që Kosova ka mbajtur në raport me përplasjet që Greqia ka pasur me Maqedoninë e Veriut.
“Kjo përplasje na ka kthyer prapa për dekada të tëra, i ka kthyer prapa maqedonasit dhe rajonin, kështu që për mua çfarë është e rëndësishme është që të largohemi nga konfliktet e pakuptimta”, shtoi ai.
Varoufakis theksoi se nacionalizmi mbetet një nga arsyet kryesore pse Greqia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Ai u shpreh se në Greqi ekziston bindja se nëse njihet Kosova, atëherë “legjitimohet” edhe Qiproja Veriore, e cila njihet si shtet vetëm nga Turqia.
Megjithatë, sipas tij, kjo qasje është e gabuar dhe i përket së kaluarës.
Ai shtoi gjithashtu se në Kosovë, në përgjithësi, që nga viti 2005, ka pasur zhvillime pozitive në politikat financiare.


