Profil i një derdimani që bashkëpunon prej 30 vitesh me grupet kriminale elitare, por emërohet në detyra të larta nga kupola e pushtetit dhe nuk preket nga drejtësia…
I përjashtuar në 2003 për lidhje me grupet kriminale në Vlorë e Elbasan, i rikthyer në 2013 me lobim bandash, i pagëzuar nofkën ‘Daja’, Neritan Nallbati vijon të drejtojë Departamentin e Policisë Kriminale në 2026, ndërsa vettingu ‘nuk i pa’ as 10 vitet e përjashtimit dhe as dosjet SKY ECC…
Është e turpshme për shtetin dhe për Policinë e Shtetit, që edhe sot në vitin 2026, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale të Shqipërisë është Neritan Nallbati, i pagëzuar me nofkën “Daja” nga grupet kriminale të Elbasanit.
Përveç faktit që në nëntor 2003 u përjashtua nga policia për favorizime të grupeve kriminale dhe subjekteve private me aktivitete të paligjshme në Vlorë e Elbasan, emri i Neritan Nallbatit ka dalë dhe në dosjet SKY ECC, përsëri për lidhje me krimin.
Por përveç këtyre fakteve, që ligjërisht ndalojnë pranimin dhe mbajtjen në strukturat e policisë, Neritan Nallbati ka bërë karrierë me grada e poste të larta, pa kryer shkollim policor.
Referuar dokumentave të arsimimit, që “Pamfleti” i ka marrë nga dosja e tij personale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, rezulton se Neritan Nallbati në vitet 1989-1991 ka kryer studimet 2-vjeçare për “Mësues i Ciklit të Ulët (Fillore)” në ish-Institutin Pedagogjik të Elbasanit.

Në periudhën 1 tetor 1991 – 28 shkurt 1992, pasi punoi 1 muaj mësues, Neritan Nallbati kreu kursin 5-mujor për polic me pagë nga shteti, kurs të cilin e ka deklaruar si “Studime në Akademinë e Policisë”.

Më 1 mars 1993, brenda 1 dite pas përfundimit të kursit 5-mujor për polic, Neritan Nallbati u emërua “Specialist” në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku qëndroi deri më 31 dhjetor 1999, kur u emërua në Ministrinë e Brendshme dhe qëndroi deri më 1 shkurt 2001.
Me pozita të forta në ministrinë e Brendshme dhe lidhjet që kishte krijuar me botën e krimit, Neritan Nallbati shprehu dëshirën për të shërbyer në drejtorinë e Policisë Elbasan dhe e çuan atje më 2 shkurt 2002 deri më 21 prill 2002, ku riaktivizoi, fuqizoi dhe mbrojti grupet e krimit.
Pastaj filloi të bashkëpunonte hapur me krimin, më 22 prill 2002, Neritan Nallbati u transferua Drejtor Policie në Vlorë, ku veproi si “shef” i trafikantëve deri më 21 korrik 2003, kur me lobim të bandave të Elbasanit në kupolën e PS-së dhe Qeverisë, u rikthye Drejtor Policie në Elbasan.
Atje qëndroi deri më 21 nëntor 2003, kur me presion nga EUROPOL dhe SHBA, vetë pushtetarët e PS-së e përjashtuan përgjithmonë nga Policia e Shtetit për lidhje me botën e krimit, por u punësua formalisht në bizneset e trafikantëve dhe ndërtuesve që kishte favorizuar.
Më 9 tetor 2013, pas 10 vitesh përjashtim, Neritan Nallbati u rikthye në polici, përsëri direkt në postin Drejtor i Qarkut Elbasan, ku riaktivizoi bashkëpunimin me bandat kriminale deri në mesin e vitit 2015, kur e transferuan Drejtor Policie në Fier, ku krijoi lidhje me bandat e krimit.

Gjatë periudhës 31 maj 2017 – 21 korrik 2019, ishte në kabinetin e Drejtorit të Policisë së Shtetit; ndërsa më pas Drejtor Policie në Berat e Durrës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Prej datës 1 gusht 2022, mësuesi Neritan Nallbati me kurs 5-mujor për polic, është Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale të Shqipërisë, megjithëse ka dalë dhe në dosjen SKY ECC, me shumë prova për përfshirje në veprimtari kriminale, mes tyre informacionet e dhëna kriminelëve, trafiku i drogës në Portin e Durrësit dhe rrjeti call-center.
Në raportin e vettingut, Neritan Nallbati nuk ka deklaruar 10 vitet e përjashtimit nga policia, por këtë fakt nuk ia kanë pasqyruar në raportin e vettingut, as Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, as Drejtoria e Policisë së Shtetit, as Ministria e Brendshme dhe as Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që i ka bërë vettingun./Pamfleti





