Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar ndaj kritikave për moshën e kreut të PD-së, Sali Berisha, duke theksuar se ai mbetet një figurë aktive në politikë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Mziu u shpreh se Berisha nuk duhet gjykuar nga vitet, por nga kontributi dhe energjia që vijon të japë.
“Berisha nuk matet me vitet, matet me kontributin që jep. Ai sfidon çdo person në Shqipëri edhe në aspektin fizik. Bëji një SMS në orën tre të natës, të kthen përgjigje. Ftoje ku të duash dhe, nëse nuk vjen në takim, atëherë flasim,” tha Mziu.
Në vijim, ai bëri edhe një krahasim me kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur kritik.
“Në aspektin fizik e keni parë Edi Ramën, është bërë si i plakur. Po ku krahasohet me Sali Berishën?”, shtoi deputeti demokrat.



