Në panoramën e futbollit europian, gjithnjë e më shumë vëmendja po përqendrohet te talentet e rinj që po arrijnë të bëjnë diferencën jo vetëm me potencial, por me shifra konkrete. Në këtë listë elitare, ku përfshihen emra si Lamine Jamal dhe Pio Esposito, vendin e tij e ka fituar me meritë edhe sulmuesi shqiptar i Çesenas, Kristian Shpendi.
Sulmuesi i lindur në vitin 2003 është shndërruar në një nga profilet më interesantë të brezit të tij, falë një kombinimi mes instiktit si një golashënuesi, vazhdimësi në performancë dhe disiplinës në taktikë, vlerësime këto të dhëna nga “Il Resto del Carlino”, në një analizë që i është bërë. Dy sezonet e fundit kanë qenë vendimtare për rritjen e tij, duke e pozicionuar mes sulmuesve më produktivë në Europë për moshën që ka.
Sipas raportimeve të medias italiane, vetëm pesë futbollistë të lindur nga viti 2003 e në vazhdim kanë arritur të regjistrojnë të paktën 20 gola dhe 5 asistime në dy sezonet e fundit. Në këtë grup shumë selektiv, përveç Jamal dhe Esposito të cilët natyrisht janë lojtarë të një niveli tjetër, sidomos spanjolli që me Barcelonën po thyen çdo rekord, bëjnë pjesë edhe Lukas Stasin, Benjamin Sheshko si dhe vetë Shpendi.
Ky fakt nuk është thjesht statistikë, por një tregues i qartë i impaktit që sulmuesi shqiptar ka pasur në skuadrën e tij, duke u kthyer shpesh herë në lojtarin që ka ditur të marrë qendrën e vëmendjes. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë që alternojnë paraqitjet, Shpendi ka arritur të ruajë një standard të lartë në mënyrë të vazhdueshme, duke qenë pikë referimi për Çezenën.
STATISTIKAT E SHPENDIT – Duke analizuar performancën e tij në Serinë B, vërehet një progres i qartë. Pas një sezoni 2023/24 mbresëlënës me 20 gola dhe 6 asiste në Serinë C, Shpendi konfirmoi vlerat edhe në një nivel më të lartë. Në sezonin 2024/25 ai realizoi 11 gola dhe dha 3 asiste, ndërsa në sezonin aktual 2025/26 ka arritur në kuotën e 10 golave dhe 4 asisteve në 36 ndeshje, në një total prej 21 golash dhe 7 asistesh në dy sezonet e fundit, shifra fantastike këto.
Këto shifra tregojnë një sulmues që jo vetëm shënon, por kontribuon edhe në ndërtimin e lojës, duke u përfshirë aktivisht në fazën kreative. Për më tepër, fakti që ai ka luajtur kryesisht si qendërsulmues, por është aktivizuar edhe si sulmues i dytë apo në krah, e bën një profil taktikisht shumë të vlefshëm dhe që mund të jetë alternativë e rëndësishme edhe në të tjera pozicione në fushë.
MUNGESA E GOLIT – Megjithatë, sezoni nuk ka qenë pa sfida. Shpendi nuk ka gjetur rrugën e rrjetës që nga 28 shkurti, një periudhë “thatësire” që për një sulmues shpesh shoqërohet me presion dhe analiza. Pavarësisht kësaj, ndikimi i tij në lojë mbetet i dukshëm dhe besimi i stafit teknik nuk është lëkundur. Në këtë fazë të kampionatit, Çezena vijon të jetë në garë për objektivat sezonale dhe shumë prej shpresave lidhen pikërisht me rikthimin e golit nga Shpendi.
MERKATOJA – Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re. Edhe pse nuk po kalon momentin më të mirë në aspektin e finalizimit, profili i tij vazhdon të monitorohet nga disa klube të Serie A dhe nga skuadra ambicioze të Serie B. Vera pritet të jetë një moment kyç për karrierën e tij. Nëse arrin të mbyllë sezonin në rritje, një hap drejt një niveli më të lartë duket më shumë se i mundshëm.
KRAHASIMI ME STIVEN SHPENDIN – Nëse Kristian Shpendi ka ndërtuar profilin e tij mbi vazhdimësinë dhe rolin e liderit ofensiv te Çezena, binjaku i tij Stiven po ndjek një trajektore më ndryshe, por po aq interesante. Në sezonin aktual me Empolin në Serinë B, Stiveni ka realizuar 13 gola në 34 ndeshje, një shifër që tejkalon prodhimin aktual të Kristiant, por me një rol më të fokusuar te finalizimi dhe më pak përfshirje në asistime.
Ndryshe nga Kristiani, i cili kontribuon më shumë në ndërtimin e lojës dhe shpërndarjen e topit, Stiven shfaqet si një finalizues më i pastër brenda zonës. Edhe rrugëtimi i tyre i fundit reflekton këtë diferencë, pasi Stiven vjen nga një sezon më i qetë te Karrarese, përpara se të shpërthente këtë edicion, ndërsa Kristiani ka ruajtur një linjë më të qëndrueshme progresi. Në tërësi, bëhet fjalë për dy profile që plotësojnë njëritjetrin dhe shumë shpejt, Shqipëria mund të ketë dy vëllezër që mund të kthehen në liderët e skuadrës kuqezi.


