Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas mbylljes së seancës, tha për mediat se zv.kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shprehur në kundërshtim me ligjin, pasi KLP nuk është mbledhur asnjëherë për të dalë me një vendim kolegjial lidhur me këtë çështje.
Plarent Ndreca: Ajo që paralajmërova besoj se doli, që ka një presion të shtuar në këtë çështje. Shpejtësia me të cilën tentohet të kalohen fazat procedurale dhe të anashkalohen kërkesat tona, me legjitimimin e përfaqësueses së KLP-së që nuk ka një vendim, është shqetësuese. Ne kemi konstatuar se ka një shkresë pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilën gjykata nuk duhej ta injoronte. Kërkuam që kamerat të jenë live, por u refuzuam bazuar në një udhëzim të KLP-së. E gjithë kjo panoramë na e shton dyshimin se jemi në një situatë ku ka presion institucional dhe tentohet të shmanget merita e çështjes, si edhe fakti nëse prokurori Dado ka autorizim ligjor për të ushtruar autoritetin apo jo.
Kishte të bënte me tagrin e përfaqësimit, nëse përfaqësuesja e kishte apo jo. Është Këshilli i Lartë që merr vendime, aq më tepër për statusin e prokurorëve. Për shkak se nuk ka një vendimmarrje, përfaqësuesja nuk mund të kishte tagrin e një organi që nuk e kishte ushtruar tagrin kushtetues.
Ne i jemi drejtuar Këshillit të Lartë për të marrë një vendim. Deri në seancën e kaluar kemi qenë në mirëbesim se KLP kishte marrë vendim dhe nuk kishim arsye të dyshonim që shkresa nuk ishte e KLP-së. KLP nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje. I kërkova përfaqësueses të na jepte vendimin, por ai nuk ekziston. Kryetari është shprehur në mënyrë të paligjshme.
Duket sikur ka një harmonizim institucional dhe duan të mbrojnë me çdo kusht Dadon. KLP është organi më i interesuar për të vërtetën. KLP duhej të bëhej me ne në padi për të verifikuar nëse Dado e ushtron autoritetin në bazë të Kushtetutës. Ajo që thuhet në gjyq është fakti që këta kanë harmonizim për mbrojtjen që i bëjnë Dados.



