8 maji shënoi protestën më të vakët dhe me pjesëmarrjen më të ulët të tetë tubimeve të thirrura nga Sali Berisha. ‘Kilometrit të fundit’ duket se nuk po i bashkohen më as militantët e tij, të cilët sa vijnë e rrudhen nga protesta në protestë. Në 2 orë tubim, munguan fjalimet politike dhe të vetmet mesazhe u përcollën nga një aktivist i PD-së përmes një megafoni, duke renditur arsyet se përse “regjimi i Ramës duhej rrëzuar: nga korrupsioni, te lidhjet e qeverisë me krimin, nga varfëria te taksat e larta e grabtija që qeveritarët sipas opozitës, po i bëjnë Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
“Parlamenti është kthyer në noter të Ramës, mbron Ballukun e Karçanajn”
“Edi Rama nuk e do integrimin. E bllokoi me Ballukun, i dha drejtësisë 83 shuplaka”, thuhej në mesazhet përmes megafonit.
Në sfond, vuvuzelat e shumta zhurmonin pa pushim, si për të kompensuar tkurrjen e ndjeshme të numrit të atyre që ishin grumbulluar në shesh.
Pjesëmarrja e ulët nuk ishte i vetmi dështim. Demokratët nuk e vunë në jetë as planin e tyre për të marshuar rrugëve të kryeqytetit. Me një tjetër strategji të mirëmenduar, kryepolici Skënder Hita frenoi militantët dhe kordoni i policisë i rrethoi brenda bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku kupola drejtuese e PD-së kishte marrë leje për të zhvilluar protestën, e cila nisi me 40 minuta vonesë.
Sali Berisha marshoi nga selia drejt bulevardit i shoqëruar nga një grusht militantësh dhe funksionarët demokratë. Për herë të parë, pas tij mungoi “grupi i zjarrit” që fshihej pas pankartave dhe qëllonte me molotovë drejt kryeministrisë sapo Berisha i jepte sinjalin. Një tërheqje kjo pas strategjisë së re të Skënder Hitës që në protestën e 18 prillit goditi në ‘zemër’ grupin e zjarrit dhe i arrestoi në flagrancë.
Para Kryeministrisë, militantët ishin orientuar të qëndronin të qetë dhe u larguan pas 1 ore pa asnjë akt dhune e molotovë në drejtim të godinës qeveritare. Më pas, demokratët u urdhëruan të marshojnë në drejtim të bllokut të ministrive, por plani u dështoi kur pa dalë nga bulevardi, policia u kishte zënë në pritë duke mos i lejuar të shkojnë tek Ministria e Brendshme.
Efektivët nisën shpërndarjen e tyre vetëm me ujë dhe spraj, një paralajmërim i qartë se ai është një kufi që nuk mund të kalohej. Kundërpërgjigjja e protestuesve ishte e menjëhershme, duke hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të kordonit të policisë.
Berisha dhe ata që e rrethojnë vënë menjëherë maskë dhe syze. Për disa minuta është një përballje në distancë.
Tentativat për të çarë kordonin u udhëhoqën nga deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati. Të dy u konfrontuan fizikisht me efektivët dhe në ndihmë u erdhën edhe militantët, por pa sukses.





