Ryanair njoftoi se do të mbyllë bazën e saj në Aeroportin e Selanikut në Greqi që nga periudha e dimrit dhe do të zvogëlojë numrin e fluturimeve për në dhe nga qyteti, pasi operatori i aeroportit Fraport Greece rriti ndjeshëm tarifat, tha drejtori komercial i linjës ajrore irlandeze me me kosto të ulët.
Drejtori komercial Jason McGuinness tha në një konferencë për shtyp në Athinë se nuk kishte pasur përparim në bisedimet me Fraport, e cila ka rritur tarifat në disa aeroporte greke. Ryanair tha se tarifat e aeroportit në Greqi ishin tashmë 66 përqind mbi nivelet para koronavirusit.
Ryanair po tërheq tre avionë me bazë në Selanik nga qyteti, që do të thotë humbje e 500 mijë vendeve dhe dhjetë itinerareve gjatë dimrit. Gjithashtu po zvogëlon kapacitetin në aeroportin e Athinës, kështu që një total prej 700 mijë vendesh dhe 12 itineraresh do të eliminohen në të gjithë Greqinë.
McGuinness tha gjithashtu se fluturimet nga aeroportet e Chanias dhe Heraklion do të mbyllen gjatë periudhës me trafik të ulët. Avionët e liruar do të ridislokoheshin në Shqipëri, Itali dhe Suedi, ku, tha ai, aeroportet zbatojnë tarifa minimale dhe i kanë përjellë plotësisht lehtësimet tatimore të aviacionit të ofruara nga qeveritë në ulje kostosh.
Ryanair thotë se mbyllja e bazës së saj në Selanik mund të ketë një ndikim shkatërrues në aeroport, pasi linja ajrore siguroi 90 përqind të kapacitetit të saj ndërkombëtar vitin e kaluar.
Udhëheqësit e qeverisjes vendore dhe shtypi grek kanë shprehur tashmë shqetësime se vendimi mund të ndikojë negativisht në turizëm dhe vende pune.
Ryanair aktualisht operon 95 baza evropiane. Kompania njoftoi në prill se do të mbyllte bazën e saj në Berlin për shkak të rritjes së tarifave dhe taksave.
Siç dihet, aviacioni evropian po vuan gjithashtu nga një mungesë gjithnjë e më e rëndë e karburantit efektet e së cilës tashmë po ndihen nga pasagjerët.





