Në vetëm 24 orë të lëna në dispozicion për paraqitjen e kandidaturave përballë Sali Berishës në garën për kryetar të PD-së, pranë selisë së kësaj partie u depozituan zyrtarisht emrat e Ervin Salianjit, Alesia Balliut dhe Evi Kokalarit. Të tre u refuzuan me shpejtësi, ndërsa kandidaturat e tyre u flakën jashtë garës pa asnjë proces bindës e transparent. Për pak orë u krijua iluzioni i një gare, kur u duk se ishte pranuar kandidatura e Mejreme Selës, duke e kthyer gjithë procesin në qesharak. Por edhe ajo u përjashtua më pas, ndoshta sepse nuk prodhoi efektin e pritshëm, por vetëm një tjetër episod grotesk.
Për të deklaruar vendimin ekomiiosnit të zgjehdjeve brenda PD-së, Ivi Kaso doli para mediave dhe shpalli skualifikimin e të gjithë rivalëve të Berishës, pa dhënë asnjë shpjegim mbi mënyrën se si ishte interpretuar neni 8 i statutit. Një nen që e thotë qartë, pa ekuivok: kryetari që humbet zgjedhjet nuk mund të rikandidojë për të njëjtin post. Sipas vetë statutit, i pari që duhej të mbetej jashtë garës ishte Sali Berisha.
Në këtë realitet tragjikomik, ku statuti përdoret si dekor dhe jo si rregull, Berisha del pa asnjë drojë dhe e cilëson procesin “garën më demokratike”. Një deklaratë që tingëllon më shumë si tallje me demokratët sesa si bindje politike. Vetë Berisha dikur ishte shfaqur me zë e figurë duke deklaruar se gara me një kandidat është sin ë sistemin dictatorial, por sot mendon ndryshe për situatën në PD ku është i vetmi kandidat.
Tema sjell disa prej momenteve më domethënëse të kësaj jave absurde në Partinë Demokratike; deklaratat, përplasjet dhe paradokset e një force politike që dikur pretendonte pluralizëm, por që sot ngjan e mbërthyer mes farsës, kontrollit dhe një krize legjitimiteti që thellohet çdo ditë.



