Paris Saint Germain ka siguruar titullin kampion në Ligue 1 për herë të pestë radhazi dhe të 14-in në histori. Titulli u vulos pas fitores 0-2 të mërkurën kundër Lens në stadiumin ‘Bollaert-Delelis’ në udhëtim.
Takimi nisi mes polemikash, pasi Lens kishte shprehur pakënaqësi për shtyrjen e mëparshme të ndeshjes, që i dha PSG-së më shumë kohë për t’u përgatitur për përballjen në Champions League ndaj Liverpoolit.
Në fushë, vendasit e Lens ishin më kërkues në fillim, duke krijuar disa raste të rrezikshme, por portieri Matvey Safonov u shfaq vendimtar me disa pritje të rëndësishme.
Megjithatë, PSG goditi në momentin e duhur. Ousmane Dembele fitoi topin në mesfushë dhe asistoi për Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi për 0-1 pas 29 minutave lojë.
Lens vazhdoi të ushtrojë presion edhe në pjesën e dytë, por pa arritur të konkretizojë rastet. PSG, nga ana saj tregoi qetësi dhe efikasitet, duke goditur në kohën shtesë me Ibrahim Mbaye, i cili vulosi rezultatin 0-2 në minutën 90+3′.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique feston kështu titullin e 14-të në historinë e klubit në Ligue 1, duke konfirmuar dominimin në futbollin francez. Tashmë, objektivi i radhës mbetet suksesi në Champions League, teksa në finalen e 30 majit i pret Arsenali.




