Ish-ambasadori amerikan, Christopher Hill theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes liderëve të vendeve të Ballkanit, duke përmendur edhe thënien “Mendo globalisht, vepro lokalisht”. Pika kryesore e panelit ishte se lidershipi testohet në momentet e presionit, ndërsa vendimet që merren formësojnë ekonomitë dhe industritë.
“Është absolutisht thelbësore që liderët ta kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit me liderët e tjerë”, tha Hill, duke shtuar se do të ishte më së miri që vendet e Ballkanit, pasi të jenë në European Union, të punojnë së bashku. Sipas tij, nevojitet bashkëpunim më i madh mes vendeve dhe liderëve në rajon.
“Europa e do Ballkanin, por nuk i do problemet e Ballkanit”, tha Hill, duke theksuar se një propozim tërheqës do të ishte që shqiptarët, serbët, maqedonasit dhe popujt e tjerë të punojnë së bashku, gjë që do të krijonte një treg të madh. Ai vlerëson se “nëse vendet e Ballkanit bashkëpunojnë, do të kenë përparim shumë më të madh”.





