Mero Baze
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, e thirrur më 18 maj, është një përpjekje për ta detyruar qeverinë e Maqedonisë së Veriut të respektojë mekanizmat e barazisë gjuhësore të fituara nga shqiptarët pas Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje e cila ka garantuar për së paku 25 vite ekzistencën e shtetit në Maqedoninë e Veriut pas konfliktit të armatosur të vitit 2001.
Por pavarësisht anës teknike të kërkesave, në thelb problemi është politik. Qeveria e re e nacionalistëve maqedonas, që është në pushtet, ka arritur ta defaktorizojë faktorin shqiptar në Maqedoni, duke përdorur një pakicë shqiptarësh që kanë objektiv pushtetin në emër të shqiptarëve dhe jo shqiptarët dhe të drejtat e tyre.
Dhe nuk është vetëm përgjegjësi e atyre që tani janë vasalë të Mickovskit, por dhe e atyre që ishin në pushtet dhe që krijuan një kastë korruptive shqiptarësh, duke fituar prej pushtetit maqedonas lëndinën e vet ku duhet të kullosnin.
Prandaj protesta e studentëve në Maqedoninë e Veriut nuk do të arrijë dot ndonjë gjë të rëndësishme, nëse nuk shërben politikisht për të goditur defaktorizimin e faktorit politik shqiptar dhe garancitë që Maqedonia e Veriut do të jetë një shtet i qytetarëve të barabartë për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Protesta mund të avancojë në çështjet teknike që ka përpara për respektimin e të drejtës që kanë për përdorimin e gjuhës shqipe, por beteja e tyre duhet të jetë e gjatë dhe politikisht e qartë rreth krijimit të një fryme të re politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët nuk duhet të faktorizohen vetëm për të kushtëzuar pushtetin maqedonas për të vjelë bahçen e tyre në emër të shqiptarëve, por për ta modernizuar Maqedoninë e Veriut si një shtet jo unitar dhe që duhet të orientohet drejt standardeve të Bashkimit Evropian.
Maqedonia është nga ato rastet e pakta në Ballkan që ka shumë pak alternativa mbijetese si shtet unitar, pra njëkombësh. Ajo mund të mbijetojë vetëm si shtet demokratik dhe proevropian. Çdo orientim tjetër nacionalist, unitarist dhe racist ndaj shqiptarëve e shpërbën atë.
Pra është jetike për Maqedoninë të prodhojë një aleancë historike me shqiptarët e saj dhe shqiptarët fqinjë, duke qenë e dënuar të jetë një shtet demokratik për të ekzistuar. Sa më shumë t’i integrojë shqiptarët në institucione, sa më normal të jetë përdorimi i gjuhës shqipe dhe bashkëjetesa me kulturën shqiptare atje, aq më e sigurt është Maqedonia e Veriut dhe aq më në paqe është me fqinjët e saj.
Ndaj kjo protestë për përdorimin e gjuhës është fyese së pari për vetë maqedonasit sllavë, të cilët jetojnë në një shtet ku një të tretës së shoqërisë i ndalohet përdorimi i gjuhës. Asgjë nuk e bën më të pasigurt një vend multietnik se kjo gjë dhe asgjë nuk e errëson perspektivën e zhvillimit të një vendi sesa paqartësia për bashkëjetesën brenda një shoqërie multietnike.
Tani ky është një realitet i ri politik në Maqedoninë e Veriut, i cili prej vitit 1992 nuk ka qenë kurrë kaq keq kundër shqiptarëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se përgjegjësia për defaktorizimin e shqiptarëve është e shqiptarëve. Mickovski vetëm sa ka përdorur disa prej tyre për t’i bërë të gjithë të parëndësishëm. Ai nuk mund të qortohet pse shqiptarët janë përçarë dhe i janë gjunjëzuar atij.
Këtu ka dhe një shpjegim aleanca e mistershme e nacionalistit sllavo-maqedon Mickovski me “nacionalistin” shqiptar Albin Kurti, i cili në këtë rast u përdor nga Maqedonia e Veriut për të defaktorizuar shqiptarët.
Shumë vetë më pyesin me dyshim se përse duhet ta bënte këtë gjë antishqiptare Albin Kurti?
Është shumë e thjeshtë. Shikoni momentin politik kur Albin Kurti e ka bërë këtë shërbim për të kuptuar se ai ka nevojë për një dele të zezë të dytë në Ballkan si vetja që të mos bjerë i vetëm në sy.
Aleanca e Albin Kurtit me Mickovskin u bë në një moment të errët politik, ku nga njëra anë Albin Kurti donte të eliminonte çdo personalitet politik shqiptar në rajon të lidhur me UÇK-në e Kosovës, dhe në këtë rast ishte në shënjestër Ali Ahmeti, dhe nga ana tjetër donte të krijohej një model unitar i shteteve multietnike në Ballkan, ku shumica të dominojë pakicat duke shmangur shtetin e qytetarëve.
Ai u bë aleat me Mickovskin kur Bashkimi Evropian e sanksionoi se po shkelte dhe ai marrëveshjen me Serbinë, nënshkruar në Ohër, dhe kur po izolohej nga SHBA për shkak të përdorimit politik të policisë në Veri të Mitrovicës në emër të vendosjes së rendit dhe sovranitetit të shtetit.
Në thelb Albin Kurtit i duhej një dele tjetër e zezë në Ballkan kundër shtetit të qytetarëve dhe Mickovski është një rast perfekt.
Por problemi është që as ai dhe as Kurti nuk ia dalin dot të bëjnë shtete unitare në Ballkan. Nuk e kanë as fuqinë, as mbështetjen dhe as garancinë që nuk i shpërbëjnë shtetet e tyre me këtë politikë.
Ndaj protestat e studentëve në Maqedoni nuk duhen mbështetur në mënyrë patetike pa ditur se çfarë po mbështesin. Në Maqedoni ka nevojë për një lëvizje të gjerë qytetare, ku të përfshihen dhe maqedonasit, që ata të orientohen drejt një shteti qytetar, me liri politike dhe qytetare të garantuara, dhe të shërbejë bashkë me Kosovën si model i një Ballkani të ri që do të shkojë drejt Evropës. Çdo version tjetër pastaj na rikthen tek luftërat e vjetra që ëndërrojnë liderët e rinj.
Maqedonia e Veriut rrethohet nga dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, dhe nga shqiptarët e Serbisë në veri. Ajo kufizohet nga Bullgaria në lindje, që e konsideron zgjatim të saj, dhe nga Greqia në jug, që ia ka ndërruar dy herë emrin në 35 vjet.
Të vetmin shans të mbijetojë si shtet evropian është të jetë në paqe me shqiptarët dhe të barabartë me ta, pasi ka brenda saj një të tretën e popullsisë shqiptare dhe tre kufijtë e saj shtetërorë rrethohen nga shqiptarë





