Me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë filluan marshin protestues në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkojnë që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet
\Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë
ligjin e gjuhëve dhe që ligji të mos mbetet thjeshtë në letër, por i njëjti të zbatohet.
Pasi mbërritën para Ministrisë së Drejtësisë njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, tha se studentët shqiptarë u përballën me ndalesa dhe pengesa gjatë rrugës për në Shkup, ndërsa sipas tij ka pasur edhe ndalime të autobusëve nga Kumanova.
Ai kritikoi mënyrën e trajtimit nga policia, duke theksuar se protesta është paqësore dhe se pjesëmarrësit kërkojnë vetëm të drejtat e tyre, veçanërisht të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ademi tha se kjo nuk është kërkesë për privilegje, por për të drejta të garantuara, duke shtuar se gjuha shqipe, është e drejtë e fituar dhe nuk mund të kufizohet nga institucionet.
“Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar. Studentët shqiptar nga Tirana në mënyrë të dhunshme dërgohen në Kumanovë, protesta është në Shkup. Kur dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, provokohemi rrugës. E dashur polici, edhe neve duhet të na mbroni. Së bashku shqiptar, në një kauzë të pa ndarë, i themi botës jemi shqiptar. Sapo mora lajmin prej studentëve, janë arrestuar, a është normale kjo. Zëri ynë i gjuhës që na ka folur nëna brez pas brezi. Ky zë kërkon që të flas shqip në vendin e tij. Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë, Nuk është privilegj, por e drejtë nga Marrëveshja e Ohrit, Kjo është e drejtë sepse ne kemi qenë këtu. Edhe sa kohë duhet të presë një shqiptar për të dhënë provimin në gjuhën e tij, për të ushtruar profesionin në gjuhën e tij? Nuk ka institucion që mund të prekë gjuhën shqipe,. As Ministria e Drejtësisë, as Gjykata Kushtetuese. Ne nuk jemi kundër këtij shteti, ne jemi këtu për dinjitet, barazi dhe respekt. Ata që na thonë prisni, ne ju themi nuk presim më”, tha Ademi.
Një nga studentët organizatorë të protestës, në një intervistë për gazetarin e A2 CNN, Artin Hallili, deklaroi se protesta është vazhdim i reagimit të parë, pasi sipas tij autoritetet nuk kanë reflektuar ndaj kërkesave të studentëve.
“Kjo protestë erdhi si pasojë e moslejimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pas protestës së parë, qeveria nuk reflektoi për kërkesat tona. Sot jemi mbledhur sërish për t’u treguar se nuk nënshtrohemi dhe nuk do të lejojmë të na shkelin të drejtat. Ne nuk do të dorëzohemi, nuk do t’i lëmë të na shkelin; shqipja flitet dhe shkruhet”, u shpreh ai.
Ai shtoi se tashmë kërkesat janë zgjeruar dhe studentët kërkojnë që gjuha shqipe të përdoret në çdo institucion shtetëror dhe në çdo komunikim institucional në Maqedoninë e Veriut.









