Studentët nga Universiteti i Tiranës e Prishtinës u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet për të vijuar me protestën në mbështetje të moshatarëve në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të realizuar provimet në gjuhën shqipe. Nën tingujt e “Kuq e zi je ti”, studentët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbërritën para ambasadës së kësaj të fundit në Tiranë, ku vijuan me disa fjalime duke theksuar si mesazh se plotësimi i kërkesës është kusht e deri në përmbushjen e tij, protestat do të vijojnë.
Ata mbanin flamurin kuqezi ndër duar, pankarta, plisa në kokë dhe tupanë. Gjithashtu, edhe një banderolë të madhe me mbishkrimin: “Ne jemi bashkë” që iu bashkua thirrjes “O sa mirë me qen shqiptar!” duke vijuar me himnin kombëtar për të simbolizuar nisjen e protestës.
Studentët deklaruan se protesta nuk është politike dhe bënë thirrje që kushdo që ka qëndrime politike, të largohej. Ata thonë se nuk do të tërhiqen dhe do të jenë në mbështetje të njëri-tjetrit derisa provimi të realizohet në gjuhën shqipe.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, u shprehën ata.
Pranë tyre ishte edhe gazetari Marin Mema i cili theksoi mbështetjen ndaj kësaj kauze.
“Edhe 100-fish më shumë do të bëhemi të gjithë bashkë sepse kombi është mbi çdo parti dhe ne, të rinjtë e këtij kombi që e duam pa interes, do të luftojmë çdo ditë për Shqipërinë!”, tha Mema.
Studentët shqiptarë në Maqedoni prej kohësh po protestojnë masivisht duke kërkuar realizimin e të drejtës së tyre natyrore e kushtetuese: Realizimin e provimeve në gjuhën shqipe.
Çështja e gjuhës shqipe ka qenë historikisht një nga temat më të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.


