Nga Eliza Gjediku
Është shpallur fituesi i koncesionit për ndërtimin e autostradës së re Milot-Balldre. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, teksa thekson se do të angazhohet për fillimin sa më parë të punimeve.
“Kjo është një rrugë e shumëpritur nga banorët e qarkut Shkodër dhe Lezhë dhe që kryen lehtësimin e trafikut në këto zona. Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme. Personalisht do angazhohem që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe të ndërtohet brenda afatit të përcaktuar në kontratë”, tha Karakaçi.
Fondi limit i këtij koncesioni që do të ketë afat 35 vjeçar ishte 364.7 milionë euro pa TVSH, ndërsa fituese është shpallur kompania “Salillari” me shoqëritë e tjera ALB TIEFBAU” sh.p.k., “ERALD-G” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.. Kjo e fundit zotërohet nga Redi Struga, sipërmarrësi i cili shfaqet edhe në projektin e Zvërnecit.
Ai bleu sipërfaqe të mëdha tokash në këtë zonë përmes kompanisë Albania Land Development”, të cilën më pas ia shiti dy vëllezërve nga Al-Khayyat nga Katari. Struga është një nga tre administratorët e kësaj kompanie, e cila sot është blerësja e gjithë sipërfaqes ku do të ndërtohet resorti.
Autostrada e re me gjatësi 17 kilometra do të jetë e kategorisë A, pritet të përfundojë në fund të 2028-ës, dhe është një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian.
Gjurma e aksit fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
“Ky aks do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës, bankine, tunel me dy tuba, vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin, vepra arti të vogla, rrugët paralele të kategorisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse, rrugë alternative pa pagesë”, thuhet në dokumente.
Kjo autostradë do të jetë me pagesë për qytetarët njëjtë si Thumanë-Kashar, ndaj do të shoqërohet edhe me rrugë alternative pa pagesë kategoria “C”.
Rruga do të ndërtohet plotësisht me fondet e privatit, ndërsa fitimi i kompanisë do të jetë nga tarifat e kalimit, pasi rruga të hapet për qarkullim.


